Heshtja e pashpjegueshme e Bashkisë Dropull dhe Anton Tunit për skandalin me ansamblin popullor

U mbushën plot tre ditë që kur Ansambli i Dropullit braktisi në minutat e fundit koncertin për inagurimin e Sheshit Skënderbej në Tiranë dhe ende nuk ka një reagim për këtë ngjarje prej Bashkisë Dropull, në varësi të së cilës është ky ansambël.

Nuk ka një reagim prej Anton Tunit, drejtuesit të këtij ansambli, për të cilin Policia e Gjirokastrës ka referuar në Prokurori materialet hetimore për “shpërdorim detyre”. Ajo që është bërë publike deri më tani janë reagimet e Vangjel Tavos, Policisë Gjirokastër dhe kandidates së PS-së, Artemis Dralo. Nga raportimet e para në media, por dhe sipas deklaratës së Artemis Dralos, Vangjel Tavo është personi që ka urdhëruar Anton Tunin për të tërhequr ansamblin nga koncerti.

Tavo ndërkohë e ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje. Është i papranueshëm fakti që Bashkia Dropull nuk ka ende një shpjegim publik për atë që ndodhi me ansamblin. Është i papranueshëm fakti që drejtuesi i këtij ansambli, Anton Tuni nuk ka folur se përse i pengoi fëmijët të merrnin pjesë në koncertin për Sheshin Skënderbej. Ky shpjegim është mbi të gjitha një detyrim moral për dropullitët dhe për gjithë publikun që e ka ndjekur e duartrokitur Ansamblin e Dropullit.

Kjo ngjarje nuk mund të kalohet në heshtje e duke u sjellë sikur s’ka ndodhur asgjë. Është më e ndershme që Ansambli i Dropullit të dalë dhe ta thotë publikisht nëse tërheqja e tyre nga koncerti në Tiranë, lidhej me reagimin e Athinës zyrtare, sesa të heshtin sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Kujtojmë që disa ditë më parë, Ambasada greke në Tiranë dënoi faktin që në Sheshin Skënderbej ishin vendosur pllaka guri nga Filati i Çamërisë. Deri më tani heshtja e Bashkisë Dropull dhe e drejtuesit të ansamblit lë vend për dyshime dhe insinuata nga më të ndryshmet, deri edhe tek ato për përfshirjen e Vangjel Tavos.

/ArgjiroLajm.net/