Incidenti pas mbjelljes së luleve, Bledi Çuçi “thumbon” Zamira Ramin dhe Vangjel Tavon para kamerave

Në hapjen e sezonit turistik sot në Gjirokastër jo çdo gjë shkoi mirë mes zyrtarëve që morën pjesë në aktivitetet e organizuara me këtë rast. Përtej buzëqeshjeve të sforcuara e fjalëve protokollare, mes përfaqësuesve të PS-së dhe LSI-së pati edhe “thumbime” apo batuta të hidhura.

Siç mëson ArgjiroLajm.net në fjalën përshëndetëse pas mbjelljes së luleve kryebashkiakja Zamira Rami përmendi vetëm ministren Mirela Kumbaro, deputetin Vangjel Tavo dhe prefektin Flamur Bime, duke anashkaluar Bledi Çuçin, koordinatorin e PS-së për Gjirokastrën dhe kryesuesin e listës, si dhe Flamur Golemin, ndonëse ata ishin aty krah saj.

Ndërkohë si për “hakmarrje”, gjatë fjalës së saj Mirela Kumbaro përmendi dhe falenderoi për gjestin simbolik të mbjelljes së luleve edhe kolegët Çuçi e Golemi. Kjo u shoqërua me ovacione nga të rintjë e FRESSH Gjirokastër që ishin aty pranë. Por nuk mbaroi me kaq. Kur fjalën e mori ish-ministri Bledi Çuç,  thumboi jo pak kryebashkiaken Zamira Rami dhe deputetin Vangjel Tavo.

“Në fakt kjo është hera e fundit që ne bëjmë çelje të sezonit turistik në pranverë, pasi me programin e tonë, ne të PS-së do të bëjmë të mundur turizëm për 365 ditë të vitit në Gjirokastër”, tha Bledi Çuçi. Deklaratë kjo që u pasua me një “bravo” prej Mirela Kumbaros dhe ovacione nga të rinjtë e FRESSH.

Marrëdhënia PS-LSI është e nderë dhe pritet që në ditët e ardhshme “lufta” të intensifikohet. Marrëveshja Rama-Basha penalizon LSI-në dhe partitë e tjera të vogla. Sa i përket Gjirokastrës, tashmë LSI jo vetëm që nuk arrin dot objektivin për të marrë mandatin e dytë të deputetit, por rrezikon edhe një mandat.

Punonjës të Bashkisë Gjirokastër të mbetur nga koha kur kjo bashki drejtohej nga socialistët, tashmë janë nën presion për të dalë hapur pro LSI-së, ndryshe rrezikojnë vendin e punës. Një ditë më parë, Zamira Rami shkarkoi pa motivacion drejtorin e Punëve Publike, Fadil Bojo, i cili është gjithashtu edhe një prej koordinatorëve të PS-së në Gjirokastër.

/ArgjiroLajm.net/