ISIS, plane për sulme në qytetin francez ku do luajë Shqipëria

13312741_970433019722594_888733316236682739_nISIS po planifikon të sulmojë Marseillen, qytetin ku më datë 15 qershor luhet takimi mes Francës dhe Shqipërisë.  Tabloidi britanik, The Sun, ka informacione se ISIS synon të bëjë një masakër në qytetin e Marseilles gjatë Euro 2016.

Burime policore konfirmuan për këtë gazetë se në një laptop që ishte përdorur nga Salah Abdeslam, organizatori i sulmeve në Paris dhe Bruksel, ekzistonte një plan për të sulmuar tifozët anglezë që do të mblidheshin në Marseille më 11 qershor për ndeshjen kundër Rusisë.

Frika e policisë angleze është se ndjekësit e Abdeslam janë të vendosur të ndjekin këtë plan ndonëse terroristi është arrestuar. Sipas informacioneve paraprake, plani përfshin shpërthime vetëvrasëse, sulme me Kallashnikovë apo edhe përdorimin e dronëve për të bërë masakër mes tifozëve në zonat e grumbullimit të tyre në qytet.

Në laptopin e sekuestruar nga policia belge, u gjendën foto dhe të dhëna rreth zonës historike të “Portit të Vjetër” në Marseille, ku pritet të mblidhen pjesa më e madhe e tifozëve gjatë ndeshjeve që luhen në këtë qytet. Ekzistenca e një plani të tillë vë në rrezik serioz edhe tifozët shqiptarë dhe Kombëtaren kuqezi, e cila do të vizitojë Marseille vetëm pak ditë pas ndeshjes Angli-Rusi.