Kamp për sirianët në Gërhot dhe Aerodromin e Gjirokastrës. Priten mbi 10 mijë refugjatë

refugees_syriaRaportimet e mediave të huaja disa ditë më parë se Shqipëria do të strehojë rreth 75 mijë refugjatë sirianë duket se ishin të vërteta. Ditët e fundit kemi angazhime konkrete të qeverisë shqiptare në këtë drejtim.

Lapsi.al mëson se Ministria e Brendshme i ka kërkuar institucioneve vendore në Gjirokastër, Prefekturës dhe Bashkisë, që të gjejnë hapësira të mëdha për ngritjen e kampit, ku do të strehohen refugjatët sirianë. Është zgjedhur Gjirokastra jo pa qëllim. Në këtë qytet, gjatë stinës së dimrit zbarkojnë shumë klandestinë përmes pikës kufitare të Kakavijës. Për shkak të motit të ftohtë, ata ndjekin itinerarin Greqi-Shqipëri-Mali i Zi, për të shkuar drejt Evropës. Për këtë arsye qeveria shqiptare është duke marrë masat në jug të vendit.

Deri më tani janë përcaktuar dy hapësira të mëdha, ku do të ngrihen rreth 5 mijë çadra, të cilat mund të mbajnë mbi 10 mijë persona. Aerodromi i Gjirokastrës dhe një territor rreth ish-Brigadës së Këmbësorisë të Forcave të Armatosura në repartin e Gërhotit. Të dyja këto hapësira janë jo shumë larg njëra-tjetrës. Infrastruktura e këtij kampi pritet të ndërtohet sapo të zyrtarizohen këto hapësira të siguruara nga institucionet vendore në Gjirokastër.

Jo zyrtarisht mësohet se Ministria e Brendshme i ka siguruar tashmë rreth 5 mijë çadrat ambulatore. Por përveç strehimit të refugjatëve është menduar edhe për kujdesin ndaj tyre, të paktën në aspektin shëndetësor. Kështu, në dispozicion të këtij kampi do të jenë tre doktorë dhe pesë infermierë. Nuk do të mungojnë as kuzhinierët që do të përgatisin ushqimin.