Kaos te Luftëtari, ja letra e dorëheqjes së trajnerit dhe shefit të klubit

“Nuk shkova në Kinë në Shkurt edhe pse kisha një ofertë të mirë. Do të flas me agjentin tim dhe tani nuk dua të flas por nuk më pëlqen mënyra se si humbëm. Është hera e parë që dëgjoj që emri im të lidhet me Partizanin. Tani jam shumë i përqëndruar te Luftëtari, kam një kontratë me këtë klub. Shresoj se do ta gjejmë përsëri fuqinë për të rigjetur rezultatet”.

Kjo ishte deklarata e Mladen Milinkovic pak momente pas disfatës me Flamurtarin dhe vetëm dy orë më pas, trajneri serb hodhi “bombën” në klubin gjirokastrit duke dhënë dorëheqjen. Nëpërmjet një letre të hapur, shefi i klubit, Gentian Nora bën të ditur vendimin e tij për t’u larguar bashkë me trajnerin pa dhënë arsye të qarta, por lë të kuptohet se ai bashkë me trajnerin serb nuk janë aspak dakort për vendimet që kanë penalizuar Luftëtarin gjatë këtij sezoni.

“U bënë dhjetë ndeshje që ndikohet në rezultat dhe nuk kemi ç’llogari t’i kërkojmë skuadrës, çfarë llogarie t’i kërkoj Beqirit që ishte gati të jepte jetën në Pogradec, ç’ti them Olti Rapës që i fshija gjakun me bluzë për të ngjitur Luftëtarin në Superiore, ç’e dua kete Superiore? Ç’tu them 5 mijë tifozëve që na ndjekin çdo ndeshje? Sot pashë trajnerin të qante me Bregun, Beqirin, Ruçin, Liçajn, të gjithë me lot në sy, pashë djalin e presidentit ta shtyjnë tifozë nëpër shkallë pasi u doli përpara të mos qëllojnë arbitrin. Nuk është kjo ndeshje por 10 të tilla. Hoqa dorë nga një karrierë për të ndjekur një ënderr. Kemi sakrifikuar jetën për të patur mundësi të shfaqim aftesitë tona dhe nuk na lejuan. Për këtë arsye jap dorëheqjen dhe sebashku me mua edhe trajneri ia kemi paraqitur presidentit. Ne largohemi”.

Një deklaratë që lë pak vend për interpretime por krijon një situatë kaotike në fund të një sezoni pothuajse model për bluzinjtë. Tashmë detyra e klubit për të zëvendësuar trajnerin dhe shefin e klubit mbetet një mision i vështirë dhe delikat.