Kapen 22 kg hashash në Vrisera, trafikantët ikin me vrap

Në datë 26.03.2017, rreth orës 21.00, në vendin e quajtur “Diga e Liqenit”, në afërsi të fshatit Vrisera, nga punonjësit e policisë Kufitare Kakavije u konstatuan me kamer termike 3 persona, të cilet po ecnin me këmbë nga fshati Vrisera për në drejtim të liqenit.

Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të këtyre personave, të cilët kur ju ka bërë thirrje policia për të ndaluar, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar nga erresira janë larguar në drejtim të pyllit.

Në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Kufitare si dhe ato të Sektorit Kundër Narkotikëve.

Në çanta u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 22 kg lëndë e dyshuar narkotike si ajo e llojit Canabis Sattiva.

Nga ana e Policisë vijon puna për kapjen e këtyre personave.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për hetim te mëtejshëm, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve ”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.