Kapen hajdutët e banesave dhe lokaleve në Gjirokastër (Emrat)

Një operacion i policisë së Gjirokastrës i koduar “Kalaja” ka shkatërruar një grup që kryente vjedhje banesash dhe lokalesh në këtë qytet.

Kristo Ajdini, 20 vjeç, A.A., 15 vjeç dhe K.Xh., 16 vjeç, që të tre banues në lagjen “Zinxhira”, Gjirokastër, u arrestuan ditën e djeshme, të dyshuar se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer një sërë vjedhjesh.

Më konkretisht ata akuzohen se më 24 janar, kanë vjedhur 12 mijë lekë të reja, 50 euro, disa paketa cigaresh, disa shishe me pije alkoolike dhe disa artikuj të tjerë ushqimor në lokalin e shtetasit O.I., në lagjen “8 Shtatori”, Gjirokastër.

Më 2 shkurt dyshohet se kanë vjedhur 7 steka me cigare, 30 euro, 3500 lekë të reja si dhe disa artikuj të tjerë ushqimor në lokalin e shtetasit K.V., në Lagjen “18-Shtatori”, Gjirokastër.

Në 7 shkurt dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur 7 bateri makine, një aparat karikimi baterish, rreth 5 kg materiale alumin, një troko si dhe disa sende të tjera.

Nga ana e policisë është sekuestruar një bateri si dhe trokoja në banesën e shtetasit K.Xh.

Si rezultat i kësaj pune u bë gjithashtu dhe ndalimi i tre personave të tjerë për veprën penale “Përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”.

Të ndaluarit janë Iqmet Ibrushi, 38 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira”, i dënuar më parë për vjedhje, Admir Shehu, 40 vjeç, banues në Gjirokastër dhe Erion Lika, 34 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira”, Gjirokastër.

Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë blerë mallrat e vjedhura, që kishin vjedhur Kristo Ajdini, K.Xh. dhe A.A.

Ndërkohë Admir Shehu dhe Erion Lika kanë pika skrapi të licenvuara në lagjen “Zinxhira”, Gjirokastër dhe kanë blerë sende të vjedhura pa dokumentet përkatëse.

Aktualisht vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e disa rasteve të tjera të ndodhura më parë në Gjirokastër ku dyshohet se autorët janë Kristo Ajdini, A.A dhe K.Xh.

Ndaj tyre materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për ndjekje të mëtejshme