Kisha e Labovës, punimet nxjerrin në pah skena ikonografike

Muaji shtator u mbyll me një tjetër punë të suksesshme nga specialistët e Sektorit të Artit, pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Përgjatë dy javëve, specialistët e artit punuan në kishën “Lindja e Shën Marisë” në Labovën e Kryqit, Gjirokastër, ku kryen punime konservuese – restauruese në pikturën murale.

Punimet konsistuan kryesisht në çlirimin e sipërfaqes së pikturës nga mbivëniet e ndryshme (bojë, gëlqere, llaç) dhe u përqëndruan në pilastrat në anën perëndimore të bërthamës së vjetër të kishës, si dhe në harkun sipër kolonave në hyrje të naosit.

Gjithashtu, si rezultat i punimeve të kryera, dolën në pah disa skena ikonografike të fshehura prej kohësh poshtë shtresave të mbivendosura, të cilat janë objekt i studimeve të mëtejshme.