Kosovarët ‘pushtojnë’ Gjirokastrën

Veçantësitë historike dhe arkitektonike të qytetit të gurtë të Gjirokastrës vazhdojnë të tërheqin çdo ditë dhe më shumë vizitorët vendas dhe të huaj. Agjensitë dhe zyrat e informimi turistik në Gjirokastër pohojnë se gjatë kësaj vere është i konsiderueshëm numri i turistëve nga Kosova të cilët kanë vizituar vlerat muzeale të qytetit pasuri e UNESCO-s.

Ditët e fundit kanë qenë rreth 200 vizitorë nga qytete të ndryshme të Kosovës, të cilët kanë qenë të pranishëm në qytetin e gurtë duke vizituar mjediset muzeale të Gjirokastrës.“Jemi një grup vizitorësh nga qytete të ndryshme të Kosovës”, thotë Ukshin Kola, njëri pëj vizitorëve kosovarë, ndërkohë që zbret nga autobuzi i parkuar në sheshin “Çerçiz Topulli”. “Kishim dëgjuar shumë për bukuritë e qytetit tuaj dhe menduam ta përfshijmë vizitën në Gjirokastër në një tur turistik katërditor që jemi duke zhvilluar në qytete të ndryshme të Shqipërisë”, shprehet ai.

Janë rreth 80 turistë nga Kosova, të cilët së fundi dëshirojnë të shijojnë mbresat dhe emocionet e një vizite në qytetin e gurtë. “Ky është me të vertetë një qytet i veçantë”, thotë Adriatik Keta, njëri prej vizitorëve nga Kosova, i cili vjen në Gjirokastër për herë të parë.

“Më kishin folur shumë për të dhe jam i kënaqur që më në fund do të vizitoj nga afër kështjellën dhe rrugët karakteristike”, pohon ai. Rrugëve të kalldrëmta ata pyesin plot interes shoqëruesit në lidhje me emrin e banesave të veçanta karakteristike, historinë e tyre, etj.

Domethenëse për ta është edhe blerja e një suveniri në qendrat e artizanëve të çelura anës rrugës që të çon në Kalanë e qytetit. “Dëshiroj të kem një kujtim nga Gjirokastra, pasi ajo ngjan shumë me qytetin tim, Pejën”, thotë një vizitore ndërsa mban në duar një punim në tekstil të punuar nga artizanet gjirokastrite

Prania e këtij grupi është paraprirë edhe nga vizita të tjera të grupeve turistike nga Kosova, të cilët e përfshijnë qytetin e Gjirokastrës në guidat e tyre turistike në Shqipëri. Ndërkohë, problematike për vizitorët e huaj vazhdon të ngelet orientimi në rrugët dhe mjediset karakteristike të qytetit.

Aktualisht, në zonën historike, e cila tërheq edhe numrin më të madh të turistëve, janë të pakta tabelat dhe mundësitë e orientimit në lidhje me vendodhjen e objekteve me vlera historike dhe arkitektonike, çka bën që vizitorët vendas dhe të huaj të orientohen me vështirësi gjatë vizitës së tyre në Gjirokastrën karakteristike./konica.al