Kryebashkiaku i Përmetit “tradhton” PD-në, bëhet bashkë me Kumbaron për ndriçimin e gurit

Ndërsa pak ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi në Facebook investimin qe do të kryehet te Guri i Legjendave të Përmetit, sot ishte në këtë monument ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ajo inspektoi nisjen e punimeve, që parashikojnë rikualifikimin urban të hapësirës rreth Gurit, restaurimin e rrënojave të hershme mbi të, aksesin e sigurtë nga vizitorët dhe një ndriçim të magjishëm pas perëndimit të diellit.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Përmetit, i cili ndonëse është i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike, në ndryshim nga kryebashkiakë të tjerë të opozitës, shfaqet tejet i gatshëm për të bashkëpunuar në të mirë të qytetit. Një model ky që për hir të së vërtetës rrallë e shohim në Shqipëri.

Ditë më parë ministrja Kumbaro ishte në Përmet edhe për të njoftuar një tjetër investim që i shkon qytetit prej Ministrisë së Kulturës; restaurimi i Shtëpisë së Kongresit të Përmetit.

/ArgjiroLajm.net /