Kumbaro fton emigrantët: Ejani në Gjirokastër, shihni investimet që po bëjmë (FOTO)

Pjesë e takimit të zhvilluar në Athinë nga përqaqësuesit e Partisë Socialiste, me emigrantët e qarkut Gjirokastër ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në fjalën e saj ministrja vlerësoi rolin e emigrantëve në marrëdhëniet mes dy vendeve duke i cilësuar ata si ambasadorët më të rëndësishëm të Shqipërisë në Greqi.

“Ne ju jemi mirënjohës që nuk i ndaheni Shqipërisë ndonëse nuk keni marrë sa duhej nga vendlindja. Prandaj jemi përpjekur në këto 4 vjet të ndërtojmë e të zhvillojmë programe e projekte investimi jo vetëm për shqiptarët që banojnë në atdhe por edhe për ju doni të ktheheni në atdhe për hall a për mall, për biznes a për pushime”, tha ministrja e Kulturës.
Kumbaro u ndal në mënyrë të veçantë te investimet e qeverisë në qarkun Gjirokastër.
“Programi i Rilindjes Urbane në Qarkun e Gjirokastrës i ka kthyer të 7 bashkitë në kantiere ndërtimi që po mbyllen, që po zhvillohen, ose që janë gati për të filluar. Investimet në Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Këlcyrë, Libohovë etj synojnë të përmirësojnë shërbimet, infrastrukturën turizmin dhe jetën e qytetarëve por edhe të krijojnë motor ekonomie edhe përmes trashëgimisë kulturore si një Kthim në të Ardhmen. Historia, Kultura, Tradita janë në vizionin tonë burim ekonomie në të ardhmen për Qarkun e Gjirokatrës”, u shpreh ministrja.
Më pas ajo i ftoi emigrantët të vijnë këtë verë në Shqipëri, jo vetëm për të mbështetur me votë qeverinë “Rama”, por edhe për të parë vetë ndryshimet e punët që janë bërë dhe që vetëm sa kanë filluar të zbatohen.
/ArgjiroLam.net/