Kumbaro takohet me vreshtarët: Zgjidhim problemin e vaditjes brenda dy viteve të para të mandatit të ri

Mirela Kumbaro, kandidate e PS-së në qarkun Gjirokastër zhvilloi një takim mbrëmjen e djeshme me prodhuesit lokalë të Përmetit, ku u njoh nga afër me sfidat dhe problematikat  e sipërmarrjes së vogël në agroturizëm.
Në takim ishin të pranishëm edhe fermerë të zonës, të cilët furnizojnë kantinat përmetare me prodhimet e tyre të vreshtarisë.
Vreshtarët e prodhuesit e verës përmetare ngritën disa nga shqetësimet e tyre,  ku vend kryesor zë problemi i vaditjes sepse për 25 vjet ka munguar sistemi i mirëmbajtjes se rrjetit kullues e vadotës, por edhe shitja e produkteve të tyre në tregun vendas. Me kënaqësi ata vunë ne dukje se forcimi i i kontrollit doganor dhe ulja e evazionit fiskal mundesonte përdorimin e plotë të produktit vreshtar vendas.
Kumbaro tha se në këtë mandat është bërë shumë lidhur me sistemimin tërësor të kanaleve vaditëse dhe kulluese në të gjithë vendin, por theksoi se  brenda dy viteve të para të mandatit të ardhshëm ky problem do të zgjidhet përfundimisht në të gjithë vendin. Ajo gjithashtu foli mbi zhvillimin e turizmit në zonën e Përmetit, falë investimeve te qeverise, përfshirjes së Permetit ne programin e Bankës Botërore, gjë e cila do të rrisë interesin për produktet lokale.
 “Synimi ynë është që të zhvillojmë  gjithë qarkun në mënyrë të integruar, duke siguruar kështu që turistët të qëndrojnë më gjatë e të konsumojnë më shumë. Investimet e bëra kanë nisur ta japin impaktin e tyre këto dy vite dhe Përmeti tashmë ka një numër më të madh vizitorësh, të cilët kur vijnë këtu duan të konsumojnë dhe të blejnë produktet tuaja”, theksoi Kumbaro duke folur për politikat që nxisin prodhimin dhe konsumimin e produkteve cilësore lokale

Fermerët dhe prodhuesit përmetarë  u shprehën se reformat dhe forcimi i shtetit është rruga e duhur për zhvillimin e zonës dhe dhanë mbeshtetje te plotë per programin e Partise Socialiste per Shqipërinë dhe Përmetin.