Kumbaro të rinjve të Përmetit: Krenaritë e qytetit, i kthejmë në krenari të Shqipërisë!

“Glikoja dhe rakia janë vetëm klishetë që i dihen Përmetit, se thesaret e vërteta ende nuk janë zbuluar plotësisht”, tha në takimin me të rinjtë përmetarë kandidatja e PS-së, Mirela Kumbaro, takim që u zhvillua së bashku me kryeministrin Rama në sheshin e rilindur të qytetit .
Kumbaro vuri theksin tek investimet e kryera në këtë katërvjeçar dhe në ato që qeveria socialiste planifikon të kryejë në një mandat të dytë.
“Investimet e bëra në Përmet janë njësoj si guri që hidhet në ujë dhe zgjeron rrathët.  Kështu edhe ne do të zgjerohemi nga kjo qendër që nuk është thjesht fasadë, por në radhë të parë është emocion për përmetarët dhe ata që vijnë dhe e zbulojnë Përmetin, duke u shtrirë nëpër të gjitha lagjet me gropa të qytetit, të cilat nuk do t’i njihni më, ashtu si sot po ju habit qendra e qytetit” –tha ajo.
“Askush më parë nuk na ka orientuar drejt Përmetit për të na thënë të vizitojmë këtë vend që ka një qytet të jashtëzakonshëm, pyje të jashtëzakonshme, kisha të bukura dhe njerëz të jashtëzakonshëm që gatuajnë më mirë se kudo tjetër, ndërkohë që sot Përmeti është një nga destinacionet e preferuara të turizmit falë jush, por edhe falë qeverisë dhe PS-së që programin e Rilindjes Urbane e ka shtrirë në Përmet më parë se kudo” – tha më tej Kumbaro.
Kandidatja e PS-së në qarkun Gjirokastër ka rikujtuar të rinjtë se tashmë Qendra Historike e qytetit dhe ajo e Bënjës janë pjesë e programit të qeverisë shqiptare me BE dhe investimi do të fillojë brenda vitit, përfshirë këtu edhe rrugën e Leusës dhe rrugën e Bënjës që siç u shpreh Kumbaro “nga krenaria e Përmetit të kthehen në krenari të Shqipërisë”.
 
Por lajmet e mira për përmetarët nuk mbarojnë këtu. Kumbaro përmendi dhe shqetësimin e bizneseve dhe restoranteve në qytet për mungesën e ujit të pijshëm. Ajo njohu të rinjtë përmetarë dhe qytetarët e pranishëm në takim se brenda verës fillon puna për ujësjellësin e ri të Përmetit falë investimit prej 4 milionë euro të qeverisë. Po kështu ajo bëri të ditur edhe shtesën e kontratës për vazhdimin e punimeve në rrugë Këlcyrë – Përmet që pritet të përfundojë së shpejti.
“Fakti që gjithë këto nuk janë bërë në 25 vite nuk është justifikim dhe nuk na qetëson, por na nxit të ecim më shpejt dhe për këtë duhet Programi i Rilindjes Urbane, që sot është shtrirë në të shtatë bashkitë e Qarkut Gjirokastër dhe për 44 muaj i ka shndërruar këto bashki në kantiere të Rilindjes Urbane. Asnjë prej këtyre bashkive e fshatrave të tyre nuk do të jenë më ishuj të shkëputur që duket sikur investimet kryhen në mënyrë të improvizuar, “njëherë mot dal e kullot”, vetëm kur vijnë zgjedhjet. Për ne është punë e përditshme dhe sot nuk jemi këtu për t’ju kërkuar votën për gjërat që do të bëjmë, por është një moment llogaridhënie se si kemi punuar. Do të donim të kishim bërë më shumë, por nuk ka qenë një katërvjecar i lehtë kur jemi të detyruar ta ndajmë pushtetin” – u shpreh Kumbaro.
Ajo ka kërkuar nga përmetarët  besimin për një mandat të dytë, veç për PS-në për të përfunduar reformat e nisura, që siç tha Kumbaro, janë shtrirë në cdo sektor.
Jemi përpjekur të bëjmë në katër vite, atë punë që nuk ishte bërë në 25 vite.Reformat tona janë shtrirë në çdo sektor.  PS është e vetmja parti që ka treguar se premton dhe i mban premtimet e saj”.