“Libohova, Kulturë dhe Agroturizëm”, ejani të enjten në panairin që organizohet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Turizmit

“Libohova, Kulturë dhe Agroturizëm”. Ky është aktiviteti që do të zhvillohet nesër në Libohovë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Turizmit. Eventi organizohet nga bashkia dhe mbështetet gjithashtu edhe prej projektit “Bashkitë për Evropën” i finacuar nga Bashkimi Evropian.

Në kuadër të këtij aktiviteti është programuar edhe një panair me produktet tradicionale të zonës. Pas fjalës përshëndetëse të kryebashkiakes Luiza Mandi dhe të ftuarve të tjerë, do të ketë gjithashtu edhe një vizitë në sarajet e Myfit Bej Libohovës, si dhe diskutime të hapura nga fermerët dhe qytetarët lidhur me sfidat për zhvillimin e agroturizmit në Bashkinë Libohovë.

Pritet që të pranishëm në këtë aktivitet të jenë zyrtarë nga Gjirokastra, konsujt e Greqisë dhe Italisë, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera. Ndërkohë mësohet se ftesë u ka shkuar edhe ministrave Blendi Klosi e Mirela Kumbaro,  por s’dihet nëse ata do të jenë të pranishëm apo jo, pasi të enjten zhvillohen edhe punimet në Kuvend. Nga Bashkia Libohovë janë përzgjedhur dy fshtra, Nepravishta dhe Labova e Sipërme si pjesë e programit ‘100 Fshatrat’, program i cili parashikon kryerjen e një sërë investimesh që ndikojnë në zhvillimin e agroturizmit.

© Libohova Online