Libohova mirëpret pilotët nga Ballkani, Kumbaro e Mandi në darkën e “përzier” me futboll (FOTO)

Libohova ka qenë sonte mikpritëse e rreth 60 sportistëve nga vende të ndryshme të Ballkanit, të cilët kanë zbarkuar këto ditë në Gjirokastër në kuadër të eventit “Gjiro Open Air”.

Për tre ditë pilotët do të organizojnë fluturime duke u nisur nga mali i Çajupit përballë Gjirokastrës, ndërsa janë parashikuar edhe guida për t’u njohur me disa nga vendet historike të zonës.

Në darkën e organizuar në një prej restoranteve të Libohovës, ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakja Luiza Mandi. Nuk munguan as këngët polifonike, ndonëse vëmendja ishte përqënduar natyrisht te ndeshja Itali-Shqipëri.

“Live, Gjiro Open Air. Alket Islami dhe De Biazi”, shkruan në Twitter ministrja Kumbaro, teksa foton e saj e shoqëron edhe me foto të gatimeve tradicionale libohovite.

“Gjiro Open Air” do të kulmojë me Gjirokastra by Night, me date 25 mars, një “street party” që do të mbahet në Qafën e Pazarit në Gjirokastër.

Në janar të këtij viti, Ministria e Kulturës dhe Federata Shqiptare e Aeronautikës nënshkruan marrëveshjen për Promovimin e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare gjatë zhvillimit të Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në “Paragliding në Disiplinën në Preçizion ”, i cili do të zhvillohet në qytetin e Vlorës në datat 05-14 maj 2017. Pjesë e kësaj marrëveshje, në dispozicion të “Gjiro Open Air” është dhe itinerari jugor malor, Tepelenë-Përmet-Gjirokastër, ku gjithë paketa e muzeale dhe e site-ve të trashëgimisë do të jetë në funksionim të plotë për t’i mirëpritur sportistët pjesëmarrës në këtë aktivitet.

/Libohova Online/