Libohova, “qyteza asteroide” e Antigonesë dhe Adrianopolit

Libohova është qyteza e vogël që ndodhet në juglindje të Gjirokastrës dhe që njihet nga të gjithë sot si vendlindja e Heroit tonë Kombëtar, Avni Rustemi, por ajo nuk është vetëm kaq. Libohova si qendër urbane është shumë e hershme, të paktën që nga shekulli IV-III para Krishtit. Kjo na vjen si fakt pasi në luginën e Dropullit të sotëm, në Jugun e Shqipërisë, që është edhe e pjesë e Epirit iliro-shqiptar,  si qendër administrative ka qenë qyteti antik i Antigonesë, i ndërtuar nga Pirroja i Madh për nder të gruas së tij, Antigonës.

Qyteti i Antigonesë, i ndërtuar në mal dhe i fortifikuar, shpreh situatën e luftrave të kohës dhe të mbrojtjes.

Antigonea është sekreti i madh i një vargu qytezash ilire të quajtura “qyteza asteroide”, si Libohova, Labova, Melani etj., që kanë qenë shumë të rëndësishme për kryeqendrën, Antigonenë, në të gjitha kuptimet.

Në këtë periudhë antike Libohova ka pasur një emër fillestar antik.

Studiuesi i madh i hartave të vjetra, Kiperti, në bazë të gradëve dhe dimensionit real gjeografik, me pozicionin e sotëm të Libohovës, vendos një qytet të lashtë me emrin Orestia, të tjerë, ose qytetin Omfalion, madje edhe qytetin me emrin Elaeus.

Arkeologu Moikom Zeqo shprehet se për një gjë është i sigurt, “që emri fillestar antik i Libohovës ka qenë ndryshe nga toponimi i sotëm sllav, që për mendimin tim del i fiksuar si ndërtim emërtimi topononimik, mbas 12 shekujsh, pra nga shekulli VIII ose IX gjatë pushtimit të perandorisë bullgare”.

Kështu mbeti ky toponim sllav deri më sot. Në shekullin II pas Krishtit jeta administrative e Antigonesë vdes dhe perandori romak Adriani ndërton në fushë të Dropullit kryeqendrën e re zëvendësuese, qytetin me emrin e vet, Adrianopolin (nga vjen edhe toponimi Dropull) në epokën e Pax Romanas (Paqes Romake), ndaj ky qytet nuk ka mure fortifikuese.

Libohova mbetet përsëri një “qytezë asteroide” e Andrianopolit.

Në shekullin VI pas Krishtit, pra mbas 4 shekujsh në epokën e trazuar plot luftra të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh, Andrianopoli vdes si kryeqendër administrative dhe këtë rol madhor e merr qyteti i Gjirokastrës.

Por duhet thënë se Libohova, në pikëpamje kohore, është gati 10 shekuj më e lashtë se qyteti i Gjirokastrës.

Ajo që duhet të përmendim është se Libohova ka qenë gjithmonë një qendër e rëndësishme, ndaj dhe në shekullin XIX, Ali Pashë Tepelena ndërton kështjellën për motrën e tij Shenishanë në Libohovë, pasi ajo u martua me djalin e një prej familjeve më me emër në Libohovë, e si rrjedhim edhe kështjella e Shanishasë do të ishte një kryevepër ndërtimore, e ngritur nga ndërtues vendës e francezë, që Pashai i Janinës i kishte zgjedhur me kujdes.

 

Një fakt tjetër i rëndësishëm është që për Libohovën  kanë shkruar Bajroni në shekullin XIX, dhe sidomos Elvia Çelebiu, dy shekuj më parë, në shekullin XVII.

Bazuar në kujtimet e arkeologut Moikom Zeqo, i cili origjinën e ka nga Libohova./konica.al