Libohovë, nis aksioni për mbledhjen e borxheve të ujësjellësit. Bëhuni gati për rritje të çmimit të ujit dhe vendosjen e matësave

Reforma e ujit e shpallur rreth një muaj më parë nga qeveria, ka vënë në lëvizje edhe Ndërmarrjen e Ujësjellësit Libohovë. Ditët e fundit ka nisur një aksion për arkëtimin e faturave të prapambetura. Numri total i debitorëve është rreth 200 abonentë, kryesisht familjarë, por ka edhe biznese.

Në rastet kur abonentët kanë refuzuar të shlyejnë borxhet që kanë ndaj ndërmarrjes, menjëherë është bërë ndërprerja e linjës. Nga ana tjetër janë lidhur disa akt-marrëveshje me debitorët, për të shlyer me këste brenda një periudhe të caktuar kohore borxhet që ata kanë. Mbledhja e detyrimeve të prapambetura si fazë e parë, do të pasohet më tej me vendosjen e matësave të ujit dhe gjithashtu rritje të çmimit. Deri në fund të këtij viti do të vendosen matësat e ujit në institucione dhe biznese. Më pas në muajt e ardhshëm do të pajisen me matësa të gjithë abonentët.

Po kështu pritet të bëhet edhe rritja e çmimit të ujit, në mënyrë që Ndërmarrja e Ujësjellësit Libohovë të arrijë të funksionojë me të ardhurat e veta. Aktualisht kjo ndërmarrje publike nuk është rentabël. Kostot janë disa herë më të larta se të ardhurat. Veç kësaj edhe borxhet që ndërmarrja ka ndaj të tretëve, më së shumti OSHEE-së, janë shumë të larta. Pjesë e aksionit të ndërmarrë së fundi është edhe prerja e lidhjeve të dyfishta apo të paligjshme. Pas muajit shkurt, për çdo lidhje të paligjshme që do të konstatohet, është paralajmëruar arrestim dhe ndjekje penale. Reforma e ujit është një ndër prioritetet e qeverisë ‘Rama 2’ gjatë vitit të ardhshëm.

© Libohova Online