Lindita Rova i përgjigjet Tritan Shehut: Iku koha e partisë tënde që mbushte mitingjet me mësues. Kërko falje!

Drejtoresha e Arsimit në Gjirokastër, Lindita Rova, ka reaguar pasi kandidati për deputet Tritan Shehu, hodhi dyshime se ajo po përdor mësuesit për fushatë elektorale. Shehu i referohej një dreke të programuar nga Rova nesër në Terihat.

E pyetur nga Libohova Online, drejtoresha e DAR Gjirokastër i kujton Shehut kohën e PD-së, kur mësuesit viheshin në rresht për të mbushur mitingjet, ndërsa mohon që në këtë drekë të jetë ndonjë kandidat për deputet.

Në fund ajo i thotë kandidatit për deputet të PD-së të kërkojë falje për deklaratën e tij.

Më poshtë reagimi i plotë i Rovës.

I nderuar Tritan!

Lexova me shumë vëmendje statusin tënd dhe e vlerësoj shqetësimin tënd për fenomenin e shëmtuar të përdorimit të mësuesve në fushatë elektorale. E di që ti dhe partia jote e keni të vështirë ta pranoni dhe besoni që mësuesit janë më në fund të lirë të besojnë, ndjekin dhe votojnë kë parti të duan. E keni të vështirë ta besoni që iku koha kur mësuesit merreshin me dhunë, me listë emërore, në rresht, me autobusa, me mungesa për të plotësuar kuadratët e paracaktuar mitingjeve tuaja. Iku kjo kohë…dhe uroj të mos kthehet kurrë më.

Tritan, të ardhurat e mia i përdor për të mbuluar shpenzimet e familjes sime, e për fat të keq nuk më arrijnë të shtroj dreka e darka për mësuesit, sepse në do më arrinin, jo një po dhjetëra do t’ju shtroja. Dhjetëra Tritan. Dhe e di pse? Sepse vetëm fjalët nuk më mjaftojnë t’u shpreh mësuesve mirënjohjen e thellë që kam për ta, për përkushtimin, dashurinë, profesionalizmin, dinjitetin me të cilën ata realizojnë misionin e tyre.                       

E di që është e vështirë për t’u besuar, por është realitet. Po Tritan. Do të shtroj një drekë për mësuesit, të sponsorizuar nga një biznes lokal dhe e ftoj edhe unë MAS të falënderojë bashkë me mua nisma të tilla. Arsimit nuk i kanë munguar kurrë e as do t’i mungojnë sponsorizimet nga bizenese që e vlerësojnë atë.                       

Unë nuk di si “detyrohen” mësuesit të vijnë në një festë, ndoshta do të mundesh të ma shpjegosh.

Tani më lejo të të them edhe diçka të fundit. Kandidatët për deputetë as do shfaqeshin e as do shfaqen në festën time. Dhe për këtë do kesh dëshmi të gjalla të mësuesve që do festojnë.

 Sot bën mirë t’i kërkosh ndjesë publike mësuese Elsa Gogës për përdorimin e shëmtuar të emrit të saj, ndërsa nesër pasi të jesh informuar për aktivitetin tonë duhet të më kërkosh mua dhe gjithë mësuesve.

Suksese i nderuar ne misionin tënd “fisnik”!