Llogaridhënia e qeverisë në Gjirokastër, ministrja e Drejtësisë dhe kreu i ALUIZNI-t takime në Lunxhëri dhe Cepo (FOTO)

Turi llogaridhës i qeverisë ka vijuar sot në Gjirokastër me takime në fshatrat e Lunxhërisë dhe Cepos. E pranishme ishte ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, deputeti Flamur Golemi, si dhe drejtues të insitucioneve të tjera rajonale. Banorët kanë ngritur problematikën që lidhet me mungesën e infrastrukturës rrugore, kanalizimeve apo shfrytëzimin pa kriter të pyjeve dhe kullotave.

Ministrja Gjonaj tha se ndonëse këto janë kryesisht probleme që duhen zgjidhur nga Bashkia Gjirokastër, ajo theksoi se do adresojë në qeveri. Akuza ndaj Bashkisë Gjirokastër ka bërë edhe deputeti Flamur Golemi. Sipas tij bashkia ka lënë në harresë zonat rurale në Gjirokastër dhe se shpërndarja e investimeve mes fshatit dhe qytetit është e pabarabartë. Artan Lame nga ana tjetër nxiti banorët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo korrupsioni në zyrat e Hipotekës ose ALUIZNI-t.