Lojtarët e Luftëtarit kërkojnë rrogat, Tavo i gjobit me 100 mijë lekë

Klubi i Luftëtarit ka reaguar ashpër ndaj futbollistëve që bojkotuan stërvitjen e ditës së djeshme pasi kërkojnë rrogat e prapambetura. Drejtuesit kanë vendosur të gjobisin secilin nga lojtarët me shumën prej 100 mijë lekësh të vjetër dhe kanë paralajmëruar përjashtim nga skuadra në rast përsëritjeje.

Me anë të një njoftimi, klubi gjithashtu ka bërë me dije se stafi i ri teknik do të prezantohet në ditët në vijim dhe do të jetë i huaj.

“Një pjesë e lojtarëve të KF LUFTËTARI ditën e sotme nuk kanë marrë pjesë në stërvitjen e skuadrës. Të gjendur në këtë situatë, drejtuesit kanë gjobitur lojtarët që bojkotuan në masën 100 mijë lekë të vjetër.

Ekipi i Luftëtarit është duke punuar për të ndërtuar një skuadër dinjitoze. Në ditët në vijim do të prezantohet stafi i ri teknik i cili do të jetë i huaj. Ky staf do të vendosë edhe për afrimet cilësore në merkato. Luftëtari shpërfill të tilla tentativa për të krijuar tension dhe bën me dije se do të përshkallëzojë masat në rast përsëritje deri në përjashtim nga skuadra”, thotë reagimi i klubit gjirokastrit.