LSI Gjirokastër përgënjeshtron portalin e PD-së: Ne nuk shpërndajmë miell

Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Gjirokastër ka reaguar sot ndaj lajmeve të rreme në këtë qark mbi fushatën e LSI. Në një deklaratë për mediat, kandidatja e LSI për deputete, Freskida Çako tha se nuk ka asnjë të vërtetë në ato që shkruajnë në portale anomime me gazetarë të paguar nga kundërshtarët politikë.

Deklarata e plotë e LSI, Gjirokastër:

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim në Gjirokastër dhe ekipi i saj fitues, vazhdojnë fushatën qytetare, e fokusuar vetëm tek programi dhe komuniteti, ata që kanë profesion të vetëm shpifjen dhe përbaltjen, përpiqen të keqinformojnë publikun, me lajme aq false dhe qesharake, sa janë edhe vetë.

Dy ditë më parë, kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilluan një takim madhështor në lagjen “Zinxhira”, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve të kësaj zone.

Të frikësuar nga mbështetja massive që komuniteti i Gjirokastrës po i jep Lëvizjes Socialiste për Integrim, forca të tjera politike po orkestrojnë një lojë të pistë, që ka në qendër denigrimin e LSI dhe kandidatëve të saj. Nëpërmjet portaleve informative, që funksionojnë të nxitura vetëm nga urrejtja, shpifja dhe mllefi, po fabrikohen lajme të rreme, si në rastin e lajmit që forca jonë politike paska shpërndarë thasë me miell në lagjen ‘Zinxhira”. Argumenti i këtij lajmi është vetëm një furgon, që përdoret për transportimin e bazës material për takimet me komunitetin, si karrige, fonia e banera.

Të dashur banorë! Në respekt të mbështetjes suaj të plotë, jemi të detyruar të reagojmë me anë të kësaj deklarate.

Kjo lojë e ulët nuk ka asnjë lidhje me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe asnjë nga kandidatët e saj. Megjithatë, ajo që është e qartë si drita e diellit është paniku që i ka kapur kundërshtarët tanë politikë dhe që i detyron të trillojnë, ndoshta ato që kanë planifikuar t’i përdorin si strategji elektorale.

Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh keqardhjen e plotë dhe ju siguron se do të vazhdojë të zhvillojë një fushatë pozitive, të qetë dhe qytetare, sepse fokusi ynë i vetëm jeni ju.

Nesër, ditën e hënë, Dt 5 Qershor, 2017, LSI do të depozitojë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, një padi penale për ‘Shpifje”, e parashikuar në nenin 120 të Kodit Penal.

Drejtësia do të thotë fjalën e saj. Ju faleminderit!