Luftëtari, hirushja e Superligës

Elita e futbollit shqiptar në ditët e sotme është larg kuptimit që ky nocion kishte në të shkuarën. Atëherë, kur edhe një qytet si Gjirokastra, arriti të ishte pjesë veç superligës edhe kombëtares, në sajë të disa elemntëve të brezave të ndryshëm, si Sefedin Braho, Thodhori Kalluci, Lefter Millo, Arjan Xhumba apo Altin Haxhi.

Ndërsa sot, ndoshta nuk janë më këta elementë vendas, por Luftëtari i është përshtatur kohës, duke ndërtuar një skuadër me një mirëmenaxhim, që në sajë të zgjedhjes së elementëve nga disa qytete shqiptare, por edhe jashtë, u shndërrua në hirushen e Superligës së këtij viti.

“Nuk kam patur asnjëherë ndërhyrje, kur erdhëm në fillim nga kategoria e parë na thanë se erdhët si nuse e re dhe po si nuse e re do të largoheni, por ne ja dolëm”, shprehet presidenti i gjirokastritëve, Grigor Tavo.

Mlladen Milinkoviç është padyshim një nga pikat kyce të një skuadre që luan bukur futboll dhe ka arritur rezultatet për të cilat të gjithë kanë respekt.

“Ne nuk kemi sekrete, por ndonjëherë duhet të jesh edhe me fat dhe duhet të gjesh lojtarë të mirë, e ti vendosësh në një skemë të duhur. Ndoshta në fazën e parë askush nuk na mori seriozisht dhe ky ishte avantazhi ynë, por unë besoj se ne meritojmë këtë pozicion ku jemi”, thotë trajneri serb Mladen Milinkoviç.

Trajneri serb, Milinkoviç vjen nga një karrierë jo e bujshme, pasi më pari ai ka drejtuar një skuadër të kategorisë së dytë në vendin e tij, por kjo eksperiencë me Luftëtarin duket se po i shkon më mirë dhe kombësia nuk e pengon aspak.

“Nuk kam patur asnjë problem, madje më duket sikur jetoj në vendin tim. Unë mund të them se po përpiqemi çdo ditë që t’i bëjmë njerëzit të gëzuar në fundjavë, për këtë arsye vijnë 5-6 mijë tifozë në disa ndeshje, ndërkohë që në të shkuarën më kanë thënë se nuk vinin thuajse fare”, shprehet trajneri i Luftëtarit.

Me pak bujë dhe me shumë punë skuadra gjirokastrite po shkon drejt një qëndrimi të sigurtë në Superligë, duke lënë të luftojnë për të rënë nga kategoria emra si Flamurtari, Vllaznia, Tirana dhe Laçi.

“Sa i përket sezonit na duhen edhe dy fitore për të qenë 100% të sigurtë në Superligë. Gjithmonë kam thënë se Flamurtari që do të vijë këtë fundjavë ka një nga tre skuadrat më të mira të Superligës, nëse e shohim thjesht si skuadër. Edhe pse duhet të pranoj se jam shumë i kënaqur që humbën ndeshjen e fundit”, mbyll prononcimin e tij Mladen Milinkoviç./ tch