Luftëtari me fat, luan tre ndeshje radhazi në Gjirokastër

Humbja në Korçë i zbriti gjirokastritët në vend të 5-të, por sërish shpresat për një vend që të çon në Europë janë të mëdha te Luftëtari, kur kanë mbetur edhe 10 javë deri në fund të kampionatit.  Luftëtari luan tri ndeshje radhazi në shtëpi, ku pret së pari Lushnjën dhe më pas me radhë Teutën dhe Laçin. Një bonus i mirë për të rikuperuar pikë dhe për të parakaluar ndonjë rival, edhe pse nuk do të jetë aq e lehtë. Nëse ekipi jugor arrin të marrë pikë të plota, me siguri do të përfitojë në renditje, pasi rivalët kanë ndeshje më të vështira.

Po ashtu, deri në ndeshjen me Lushnjën mesjavën e ardhshme, gjirokastritët do të kenë gati edhe dy sulmuesit Vasil Shkurtaj dhe Dejvi Bregu. I pari ka munguar në shumë ndeshje dhe mungesa e tij është ndjerë, ndërsa vlonjati nuk ishte në Korçë. Me tri ndeshje radhazi në fushën e tij dhe me një grup më të plotë, Luftëtari ka shanse të mëdha të bëjë më mirë. Tani ka edhe më shumë përvojë dhe mbetet vetëm ta tregojë në fushën e blertë se e meriton Europën