Luftëtari me mungesa, do pikë për Europën

Heshtje shtypi dhe përqëndrim maksimal. Luftëtari kërkon goditjen e madhe në javën e fundit të kampionatit. 90 minutat finale të një sezoni plot emocione për skuadrën gjirokastrite që tashmë me biletën e sezonit tjetër në kategorinë superiore në xhep, synon kualifikimin historik në Europa League që gjithsesi do të vendoset nga shumë faktorë. I pari është vendi i katërt që aktualisht Luftëtari e mban por gjithsesi mbetet i kërcënuar nga Vllaznia, Teuta dhe Tirana. Përballe Kukësit, bluzinjtë janë të detyruar për të dalë me pikë nga stadiumi “Gjirokastra” por një fitore do t’i konfirmonte matematikisht në vendin e katërt, pavarësisht rezultateve të ndeshjeve të tjera.

“Sport News” kontaktoi me burime zyrtare të klubit jugor ku shprehen optimistë për të marrë maksimumin nga dueli i fundit i sezonit. Pavarësisht mungesave të sigurta të Ramadanit dhe Aleksit në mesfushë, trajneri Mladen Milinkovic ka bërë disa modifikime në skuadër për të hedhur në fushë formacionin më të mirë. Me treshen e sulmit Reginaldo-Bregu-Abazaj, ashtu si në fazën e dytë, Luftëtari synon t’i krijojë jo pak probleme Kukësit kampion por me objektivin për ta mbyllur sezonin e rekordeve pa humbje.

Në rast të një kualifikimi të mundshëm në fazën e parë të Europa League, situata ndryshon tërësisht pasi e fut ekipin e MIlinkovic në një valle të madhe. Klubi konfirmon se me hipotekimin e mundshëm të pasaportës europiane, do të nisë puna për rikonstruksionin e pjesës së mbetur të stadiumit pasi në gjendjen aktuale nuk mund të presë një ndeshje europiane. Edhe pse afatet kohore janë të shkurtra, në Gjirokastër mund të nisë menjëherë puna pas finales së Kupës që gjithsesi do të thotë fjalën e fundit edhe në rast se Luftëtari renditet në vendin e katërt pasi me një dështim të mundshëm të Skënderbeut ndaj Tiranës përpjekjet mund të rezultojnë të kota./supersport