Luftëtari po prek fundin, Bashkia Gjirokastër i kalon në llogari 57 milionë lekë

Klubi i futbollit Luftëtari vazhdon të jetë në një situatë të vështirë pasi e sheh veten në vendin e parafundit të tabelës, me vetëm 9 pikë të grumbulluara. Kjo do të thotë se rrezikon seriozisht të bjerë nga liga superiore. Por përveç mungesës së rezultateve në fushë, duket se klubi ka edhe vështirësi financiare, aq sa të nevojitet ndërhyrja e Bashkisë Gjirokastër. Kjo e fundit ka kaluar në fillim të këtij muaji 57.5 milionë lekë të vjetra në arkën e klubit.

Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, ky transaksion është futur në kategorinë e subvencioneve për të mbuluar humbjet. Mbase duket disi e çuditshme se përse Bashkia Gjirokastër vazhdon të subvencionojë klubin Luftëtari, kur ky i fundit në 75% të aksioneve zotërohet nga donatorët me në krye Grigor Tavon. Sidoqoftë ndoshta ka një detyrim te kontrata e shitjes që edhe Bashkia Gjirokastër të financojë ekipin, duke qenë se zotëron 25% të aksioneve. Por pavarësisht se financimet janë, Luftëtari është i zhytur keq në krizë dhe po shkon drejt rënies në kategorinë e parë.

©ArgjiroLajm.net