Luiza Mandi merr sot zyrtarisht drejtimin e Bashkisë Libohovë

Luiza-Mandi-283x3001-283x300Kryebashkiakja e re e Libohovës, Luiza Mandi, merr sot zyrtarisht detyrën. Në mesditë është parashikuar të zhvillohet mbledhja e konstituimit të Këshillit Bashkiak, para të cilit do të betohet Luiza Mandi.

Për postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, të majtët që kanë edhe shumicën e anëtarëve, do të propozojnë Anastasia Dushin (PS). Ndërsa për nënkryetar do të hidhet në votim emri i Jorgji Kuros (LSI). Koalicioni i majtë ka 9 anëtarë, ndërsa koalicioni i djathtë ka 6 anëtarë.

Të pranishëm mund të jenë edhe ministri Ahmetaj dhe deputeti Tavo.

Luiza Mandi është e para grua që do të drejtojë Libohovën. Ajo fitoi në zgjedhjet lokale të 21 qershorit përballë, Altin Çomos, me një diferencë prej më shumë se 200 votash. Bashkia Libohovë është një nga 61 njësitë vendore të mbetura nga reforma territorialo-administrative. Pjesë e kësaj njësie janë dhe dy ish-Komunat, Zagorie dhe Qendër Libohovë.