Luiza Mandi reagon për Urën e Hoshtevës: Pritej ndërhyrja nga Ministria e Kulturës pasi të ulej niveli i ujit, ngjarja të mos shfrytëzohet për politikë

Pas rrëzimit të Urës së Hoshtevës në Zagori, ka reaguar edhe kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi. Përmes një deklarate në faqen e saj në Facebook, ajo sqaron dinamikën e ngjarjes dhe kërkon që të mos shfrytëzohet për politikë sepse kjo nuk i shërben të mirës sonë të përbashkët. Sipas Mandit, Bashkia Libohovë ishte në dijeni të problemit dhe kishte njoftuar Ministrinë e Kulturës. Kjo e fundit dërgoi përfaqësuesit e vet në terren për të vlerësuar situatën dhe pritej që të kryhej restaurimi sapo të ulej niveli i ujit të lumit. Më poshtë deklarata e plotë e Mandit.

Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë dëmtuar harkun e Urës së Hoshtevës në Zagori. Nga të dhënat e para konstatohet se vërshimi i ujit ka marrë përpara edhe një pjesë të konsiderueshme të tokës, për shkak të prurjeve të rrëmbyeshme dhe të shtuara si rrallë ndonjëherë. Bashkia Libohovë e ka ndjekur nga afër këtë problematikë dhe e ka përcjell me shkresa zyrtare te Ministria e Kulturës, për të bërë ndërhyrjet e nevojshme që ura të mos rrezikohej. Ministria e Kulturës menjëherë është vënë në lëvizje dhe në ditët e para të janarit ka dërguar specialistë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër së bashku me arkitektin Agron Doraci. Ata kanë bërë inspektimet përkatëse për projektin e restaurimit dhe kanë vlerësuar se ndërhyrja nuk mund të kryhej pa rënë niveli i ujit. Aktualisht në terren po shkojnë inxhinierë të Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër dhe specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, për të bërë të gjitha vlerësimet e dëmit dhe më pas të vijohet me zbatimin e projektit të rindërtimit të urës. Bashkia Libohovë po ndjek situatën hap pas hapi dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur monumentet e kulturës. Nga ana tjetër theksojmë se në situata të tilla fatkeqësish dhe emergjencash natyrore, është e udhës të jemi bashkë dhe të mos i shfrytëzojmë këto ngjarje për të gjuajtur me topat e baltës së politikës së vjetër.