‘Martesa’ PD-LSI në Gjirokastër/ Tritan Shehu reagon i lumtur. Flamur Golemi tallet: Paçi gjithnjë fitore të tilla!

Ndërsa deputeti demokrat Tritan Shehu reagoi i gëzuar për zgjedhjen e Mimoza Comos në krye të Këshillit Bashkiak Gjirokastër dhe duartrokiti aleancën PD-LSI, deputeti socialist, Flamur Golemi bën ironi duke uruar palët për fitore të tilla. Më poshtë reagimet e të dy deputetëve.

Flamur Golemi

Për zhvillimet në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës. Nëse të gjitha procedurat kanë qenë konform ligjit, s’më mbetet gjë tjetër veçse të uroj aleancën PD-LSI, e cila krijoi përkohësisht shumicën në Këshill. Paçi gjithnjë fitore të tilla! Sepse fitore me votën e qytetarëve në Gjirokastër s’keni marrë kurrë, madje as në kulmin e pushtetit tuaj në vitin 2011. As mos krijoni iluzione se mund të fitoni në të ardhmen. Aleanca tuaj është dëshmi e gjallë e varësisë patologjike që keni ndaj tepsisë së pushtetit, tepsi të cilën ne e çuam për skrap në 25 qershor, ndaj morëm mbështetje historike me votën e qytetarëve, ndërsa ju regjistruat një tjetër humbje. Partia Socialiste do të vazhdojë të luajë rolin e saj në Këshillin Bashkiak, duke qenë në çdo rast në mbështetje të interesit publik. Lëvizja e këshilltarëve ka qenë vendim i tyre personal, prandaj unë refuzoj me përçmim çdo linçim që iu bëhet apo insinuatë që krijohet. Nëse flasim për ‘parti tepsie’, s’ka mëdyshje askush se për kë është fjala. PS ka qenë dhe mbetet parti vlerash, jo më kot shqiptarët i besuan duke i dhënë +74 mandate. 

Tritan Shehu

Mimoza Como, Kryetarja e sapo zgjedhur e Keshillit Bashkiak te Gjirokastres. Nje permbysje kjo ne ate Keshill Bashkiak. Zj. Como, nje personalitet ne ate Bashki, nje figure qe rezaton shprese e integritet. Nje mesazh i qarte ky per ndryshimet e tjera te mundeshme aty. Urimet per te mira per Zj. Como dhe ate Keshill!