“Mbyllja” e Lazaratit trefishon çmimin, grekët kanabis në shtëpi

lazarat1Bllokimi nga ana e policisë shqiptare i plantacioneve të prodhimit të marijuanës në Lazarat ka sjellë trefishimin e çmimit dhe shtimin e mbjelljes ilegale të kësaj lënde narkotike në Greqi. Kështu raporton një prej gazetave më të mëdha të shtetit fqinj “To Vima”.

Në reportazhin e kësaj gazete thuhet se sipas raporteve të policisë greke mbyllja e Lazaratit ka bërë që në Greqi të ketë një mungesë të theksuar të hashashit, çka ka sjellë pasoja positive, por edhe negative në shtetin fqinj.

“To Vima” ka komunikuar me disa oficerë të lartë të policisë greke, të cilët shprehen të befasuar nga rezultatet që ka sjellë operacioni i policisë shqiptare për bllokimin e Lazaratit, që deri dje ishte qendra më e madhe e prodhimit të marijuanës në Evropës. Oficerët madhorë të policisë helene duke u bazuar në rezultatet e punës operative, por sidomos nga sasia e sekuestruar e kësaj lënde narkotike kanë arritur në konkluzionin se mbyllja e Lazaratit ka sjellë një ndryshim drastik të hartës së prodhimit të marijuanës në Greqi, por edhe në shtete të tjera të Europës.

 
Trefishimi i çmimit
Oficerët e policisë greke shprehen se deri në vitin e kaluar rreth 60-70% e hashashit që shitej në shtetit helen vinte nga Lazarati. Ndërhyrja e fuqishme e policisë shqiptare në 2014, por edhe vazhdimi i kontrolleve të rrepta në Lazarat dhe në gjithë territorin e Shqipërisë ka sjellë një reduktim drastik të sasisë që hynë në Greqi.

Kjo ka bërë që hashashi të jetë shumë i pakët në “treg” kështu që çmimi i tij është trefishuar. Një oficer i lartë i policisë greke është shprehur për “To Vima” se: “Tashmë hashashi është një mall që nuk gjendet kollaj në Athinë, por edhe në shumë qytetete të tjera. Para 2-3 vitesh çmimi i tij ka qenë diku tek 2500 euro kilogrami dhe tani ka kaluar mbi 7000 euro dhe po rritet edhe më shumë”.

Fillon mbjellja në Athinë
Policia greke nga një anë është e gëzuar që kolegët shqiptarë u kanë lehtësuar punën në kufi, ku tashmë kanë pak punë me futjen ilegale të marijuanës, por nga ana tjetër kjo u ka hapur telashe të reja. Mungesa e hashashit shqiptar në tregun grek dhe sidomos rritja e çmimit të kësaj lënde narkotike ka bërë të shtohet prodhimi vendas. Policia po vëren se në gjithë Greqinë, madje edhe në kryeqytet janë shtuar në mënyrë drastike fenomenet e mbjelljes së bimës cannabis sativa.

Shembull më i qartë për këtë është sasia e gjendur nga policia greke në muajt e parë të 2015 e krahasuar me atë të një viti më parë. Gjatë vitit 2014 në gjithë zonën e Atikës (zonë që përfshin Athinën, Pireun e fshatrat përeth) policia ka gjetur vetëm 92 rrënjë cannabis sativa, ndërsa në muajt e parë të vitit 2015 kjo shifër arrin në mbi 10 mijë rrënjë të asgjesuara!

Edhe nëpër shtëpia
Aq shumë është shtuar fenomeni i mbjelljes së hashashit në shtetit helen saqë grekët kanë filluar ta mbjellin atë edhe nëpër oborret e shtëpive në qytete, madje deri edhe në vazot e luleve në pallate. Veç tyre ka filluar edhe fenomeni i mini-serave nëpër  të cilat mbillet lloji më i fortë i kësaj lënde narkotike “cannabis hydroponic”. “Brenda pak javëve kemi zhvilluar tre operacione ku kemi zbuluar prodhimin e “cannabis hydroponic” brenda në qytet. Kemi kapur mini-sera në shtëpi të Athinës në lagje si Glifadha, në Elliniko, në Palio Faliro, por edhe në një qytet tjetër si Livadhia”, ka thënë për “To Vima” oficeri i lartë i policisë greke.
 
Operacioni
Nga qershori i 2014-s Lazarati nën kontrollin e shtetit

Në qershor të 2014-ës policia shqiptare kreu një super-operacion për të rifituar kontrollin mbi Lazaratin. Në “Kolumbinë e Europës” siç e kishin pagëzuar mediat ndërkombëtare, u kapën me qindra tonë hashash i përpunuar dhe u shkatërruan me qindra parcela të mbjella me cannabis sativa. Nga ajo kohë Lazarati është nën kontrollin e forcave të rendit. Më 24 qershor të 2015 një grup të rinjsh nga Lazarati sulmuan me armë policinë, ku u vra efektivi i RENEA Ibrahim Basha e u plagosën dy të tjerë. Reagimi i menjëhershëm i policisë, arrestimi i kriminelëve dhe asgjesimi i grupit shuajti çdo tentativë për rizgjimin e Lazaratit. /shqiptarja.com