Me kokën nën gërmadha, si po rrënohet ‘Stalingradi’ i Gjirokastrës (FOTO)

Në lagjen ‘Cfakë’ të Gjirokastrës, dy familje jetojnë nën frikën e shembjes së shtëpive. Nedret dhe Merita Kasi thonë gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” se, rrëshqitja e dherave ka krijuar çarje të mureve.

“Po ashtu, shumë banesa, rrezikojnë shembjen në qytetin e gurtë dhe disa prej tyre po braktisen”, përshkruhet më tej, në komentin e “Zërit të Amerikës”

Sipas VOA-s, Drejtori i Shërbimit Gjeologjik në Gjirokastër Cano Nora, tha se “nevojiten financime për të dalë nga situata e përmbytjeve”. “Reshjet ishin të pa ndeshura më parë, rreth 260 mm për 24 orë dhe pasojat janë të mëdha”, ka shtuar Nora.

Lagja ‘Cfakë’ apo “Stalingradi”

Dikur nga të parët e kësaj lagjeje, quhej me krenari “Stalingradi i Gjirokastrës”, e kështu e mori emrin edhe rruga. “Stalingrad” i thoshin, pasi gjermanët në kohën e Luftës së Dytë Botërore nuk para u duken në këtë lagje, që ndodhet përballë anës “së padukshme” të kështjellës së Gjirokastrës.

Ajo anë dikur shërbente si burg, e quhej “te shtatë dritaret”, e për to gjirokastritët e lagjes ‘Cfakë’, thonë shumë histori… Në këtë lagje ndodhet edhe shtëpia, “Monument Kulture” e familjes së Çoçolëve, ndërsa tashmë ajo quhet e “Kurtanëve” (familjes Kurti).

Po në këtë lagje ndodhen edhe sarafët e Ali Hashos, një ndër më të pasurit të Gjirokastër, e për të thuhet se ka luajtur shuma të mëdha deri në Monte Karlo, ndërsa përgjatë komunizmit ia morën tërë pasurinë. Po aty ndodhet edhe shtëpia e madhe e familjes së Refat Putos, një nga agallarët e lagjes ‘Cfakë’. Banorët tregojnë edhe për Rami Asqeriun; bixhozçiun e famshëm që rrëfehet në historitë e vjetra; Isuf Asqeriun, që ishte i pari që solli bilardon në Gjirokastër, apo Bajram Kasin që solli të parin autobus në këtë qytet…