Mirela Kumbaro i dorëzon mandatin e deputetes Artemis Dralos?

Rikonfirmimi i Mirela Kumbaros si Ministre e Kulturës, shtron pyetjen nëse ajo do duhet të dorëzojë apo jo mandatin e deputetit të fituar në qarkun Gjirokastër në zgjedhjet e 25 qershorit.

Të paktën nëse do të ndiqet praktika e vitit 2013, kur ministrat hoqën dorë nga mandati i deputetit. Kësaj radhe nuk është shumë e qartë si do të veprohet
I pyetur nëse ministrat e ardhshëm do të dorëhiqen nga mandati i deputetit sikurse bënë 4-vjeçarin që lamë pas, Rama tha gjatë një interviste para një muaji, se kjo gjë nuk është vendosur ende. Sipas tij, ndarja e mandatit të deputetit nga ai i ministrit është në diskutim këto kohë brenda PS-së.

Po çfarë ndodh nëse Kumbaro dorëzon mandatin? Sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor, për të plotësuar kuotat gjinore, mandati i kalon femrës së radhës në listën e kandidatëve të PS-së.

Në një rast të tillë mandatin e merr Artemis Dralo, ndonëse në listë para saj është Laert Duraj. Dralo ndërkohë është përfolur edhe për postin e Prefektit të Gjirokastrës, madje për këtë është kontaktuar direkt edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, por ajo nuk ka pranuar.

Mbetet për t’u parë në ditët në vijim se cilat do të jenë lëvizjet e radhës. Më poshtë lista zyrtare e PS-së për qarkun Gjirokastër, e depozituar në KQZ për zgjedhjet e 25 qershorit.

Bledi Çuçi
Mirela Kumbaro
Flamur Golemi
Laert Duraj
Artemis Dralo
Matilda Çela
Edlira Pasho