Mirela Kumbaro “përvesh mëngët” për Nepravishtën, nis puna për qendrën e fshatit (FOTO)

Projekti i “Rilindjes Urbane” prej të cilit ka përfituar tashmë Gjirokastra, Libohova, Labova dhe zona të tjerë të vendit do të mbërrijë edhe në fshatin Nepravishtë.

Ka nisur puna për hartimin e projektit të rikualifikimit të qendrës së Nepravishtës dhe hapësirave publike përreth saj. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ishte vetë në Nepravishtë bashkë me grupin e inxhinierëve që punuan për matjet përkatëse dhe rilevimin e zonës.

Ajo shoqërohej nga kryebashkiakja Luiza Mandi dhe administratori Gazmend Çulla. Projekti do të jetë gati në një fazë mëvonshme dhe më pas nis puna për zbatimin e tij.

Një projekt i ngjashëm përmes programit të “Rilindjes Urbane” është zbatuar edhe në qendrën e fshatit Asim Zeneli, duke i dhënë asaj tërësisht një pamje tjetër. Brenda verës nis zbatimi i projektit të qendrës së Libohovës, projekt i zvarritur deri më tani për shkak të procedurave të tenderimit, ndërkohë që qeveria ka derdhur fondin në llogarinë e Bashkisë Libohovë.

/Libohova Online/