Mori 40 mijë euro me anë të mashtrimit, arrestohet vajza nga Gjirokastra

Arrestohen dy shtetas për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumentave i kryer në bashkëpunim”. Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Tiranës me akuzën e mashtrimit. Armando Kitai, 52 vjeç, lindur në Dibër dhe Fatina B., 25 vjeçe, lindur në Gjirokastër u arrestuan në flagrancë në operacionin e koduar “Shtetësia”. Nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit “Shtetësia”.

Këta dy persona, që të dy banues në Tiranë u arrestuan pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar mbi 25 persona, duke u premtuar pajisjen me pasaporta bullgare. Në total, 51-vjeçari dhe 25-vjeçarja kanë përfituar me anë të mashtrimit një shumë prej 40 mijë eurosh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celularë dhe 112 dokumenta të ndryshme si: certifikata personale dhe familjare, fotokopje të kartave të identitetit dhe pasaporta, fotografi për dokumenta, kopje të ekstrakteve të llogarive bankare etj.