Nga janari nis vendosja e sahatëve të ujit, ndërpriten lidhjet e paligjshme

Ditën e mërkurë kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me të gjithë drejtuesit e ndërmarrjeve të ujësjellësit në Shqipëri.

Pritet që ai të lançojë atë që e quan ‘Reforma e ujit’. Sot gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2018, kryeministri ka paralajmëruar se në fillim të vitit tjetër nuk do të ketë më lidhje të paligjshme të ujit dhe se të gjithë do të pajisen me sahatë

“Qytetarëve që vjedhin ujin e pijshëm, që nuk kanë sahatë, që kanë lidhje të paligjshme, u jepet afat deri në fillim të vitit të ardhshëm të kryejnë pagesat sipas ligjit, të pajisen me sahatë, me kontrata me Ujësjellësit, “të heqin zorrët” nga dyqanet… “, u shpreh Rama.

Nuk dihet ende nëse Kryeministri do t’u kërkojë drejtorëve të ndërmarrjeve të ujësjellësave që të japin dorëheqjen, njësoj siç veproi me drejtorët  e hipotekave dhe më pas drejtorët e Spitaleve.

Në rastin e ndërmarrje të ujësjellësit situata është disi më e ndërlikuar sepse këto ndërmarrje varen prej bashkive.

Por Rama mund të ushtojë presion mbi kryebashkiakët, sidomos ato që janë të PS-së, për t’i larguar drejtorët e ujësjellësave.