Pajisje të reja në spitalin e Gjirokastrës, ministrja publikon pamjet (VIDEO)

Në spitalin rajonal të Gjirokastrës janë kryer disa investime. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përmes një videoje të publikuar në faqen e vet në Facebook, rendit disa nga ndërhyrjet që janë kryer. Mes tyre është rehabilitimi i ambienteve pritëse për qytetarët ndërsa në shërbimin e urgjencës janë vendosur aparatura të reja.

Transformim kanë pësuar edhe shërbimet e Patologjisë, Pediatrisë dhe Maternitetit. Po kështu në spitalin e Gjirokastrës është zgjeruar gama e analizave që mund të kryhen. Falë këtij investimi, janë vendosur gjithashtu edhe aparatura moderne diagnostikuese dhe një standard i ri në sallat operatore.

Sidoqoftë përtej këtyre, spitali i Gjirokastrës vuan mungesën e mjekëve specialistë njësoj si shumë spitale të tjera nëpër rrethe. Eksodi i bluzave të bardha drejt Gjermanisë duket se është një plagë që nuk e shërojnë dot politikat stimuluese të qeverisë përmes rrogave më të larta për ata që pranojnë të shkojnë në spitalet e rretheve.