Panucci fiton sfidën e parë, Shqipëri-Lihtenshtejni 2-0

Shqipëria ka siguruar 3 pikët në duelin përballë Lihtenshtejnit. Kuqezinjtë mposhtën me rezultatin 2-0 skuadrën e Rene Paurish duke i dhuruar një fitore trajnerit Kristian Panuçi në takimin e tij të parë si drejtues kryesor i stolit të përfaqësueses.

Shqipëria pa Sadikun e nisi takimin me Llullakun në majën e sulmit. Pjesa e parë ishte disi e përgjumur për kombëtaren tonë që e rrezikoi seriozisht portën e kundërshtarit në vetëm një rast me protagonist Grezdën.

Në fraksionin e dytë kuqezinjtë u shfaqen shumë më ngulmues dhe për rrjedhojë në minutën e 54-ët kaluan në avantazh me autor Odise Roshin.
Mesfushori fierak devijoi në rrjetë një goditje të Migjen Bashës. Shqipëria kishte kontrollin dhe goli i sigurisë erdhi për meritë të kapitenit Ansi Agolli.
35 vjeçari megjithëse mëngjarash realizoi mjaft bukur me këmbën e djathtë duke e dërguar në kasafortë fitoren.
Dominimi i kuqezinjve vijoi por nuk pati më ndryshim rezultati.

Shqipëria me këtë sukses shkon në kuotën e 12 pikëve dhe ditën e martë do të sfidojë Maqedoninë në Strumnicë.

Kjo ndeshje është e vlefshme për eliminatoret e botërorit Rusi 2018.