Parrullat në ceremoninë e varrimit të Avni Rustemit [FOTO]

shqip165 (1)Parulla kemi shkrojtur ne shqiptarët, jo vetëm për të gjallët por edhe në mort. Vrasja e Avni Rustemit mbetet një nga enigmat e mëdha shqiptare të shekullit të XX, që me rrjedhojat e saj solli aq shumë ngjarje. Të shkruash për Avni Rustemin nuk është as e thjeshtë e as e lehtë, pasi në Shqipëri është e vështirë ta shkruash historinë kur nuk ka dokumenta, por është edhe ca më e vështirë ta shkruash kur ka dokumenta.

Kështu nuk kam në mend që ti hyj kësaj pune këtu, për më tepër në një faqe të vetme. Më mbetet veç të përshkruaj atë që mora përsipër, pra aktin fizik të varrimit, duke ju ruajtur me sa të mundem komenteve.

Atentati kundër Avni Rustemit u krye në Tiranë më 20 prill 1924, në vendin ku sot ndodhet sheshi që mban emrin e tij dhe ai vdiq nga plaga dy ditë më pas, në spitalin e qytetit. Varrimi i Avniut u vendos të kryhej në Vlorë, që ishte aso kohe qendra e opozitës anti-qeveritare, megjithëse ai ishte nga Libohova ku kishte edhe familjen. Ceremonitë e varrimit filluan në Tiranë më 28 prill me ato të zhvilluara në xhaminë e Sulejman Pashës. Pas kësaj, karvani i makinave me ngadalë përshkoi rrugën 28 Nëntor, kaloi para xhamisë së Et’hem beut, hyri në rrugën e Durrësit dhe këtu u shkëput nga populli që kish dalë rrugëve, duke vazhduar rrugën për Durrës. Në Durrës karvani me trupin e Avniut, përshkoi gjithë qytetin pastaj u drejtua për t’u imbarkuar në port, nga ku u nis për në Vlorë me vapor. Në Vlorë vapori mbërriti një ditë më pas më 29 prill dhe gjatë asaj dite u zhvilluan homazhe. Të nesërmen më 30 prill, u krye ceremonia e varrimit, e cila u shfrytëzua maksimalisht nga opozita për të nxitur situatën kundër qeverisë. 

Në foton e parë, shihet një grup anëtarësh të Shoqërisë “Bashkimi” me flamuj dhe një banderolë në të cilën lexohet “AVNIU DESHMOR IDEAL I TIJ GJALLE”. Flamuri i parë është ai i Shoqërisë “Bashkimi”, ndërsa i dyti është flamur kombëtar. Majë shtizës së flamujve, janë vendosur tufa lulesh, në shenjë zie. Po të vini re me kujdes, të gjithë anëtarët e Shoqërisë Bashkimi kanë të qepur në xhepin e majtë të këmishave (pranë zemrës) shkronjën “B” (Bashkimi). Kjo ishte edhe shenja dalluese e anëtarësisë. Të gjithë mbajnë veshur uniforma të njëjta, që nuk janë ushtarake por të shoqatës së tyre. Vetëm ushtaraku përpara tyre është oficer i ushtrisë. Se ç’duan anëtarët e një shoqate të jenë të gjithë të armatosur si njësi paraushtarake nga ato që aq shpesh mbushën shekullin XX, është tjetër punë dhe s’ia vlen të zgjatem këtu.

Në foton e dytë, arkivoli me trupin e Avniut është ndalur diku në rrugë në një moment nderimi. Tani, flamuri i shoqërisë Bashkimi, që dukej në fotografinë e parë, këtu është vendosur për të mbuluar arkivolin. Përpara tij i bën roje nderi një djalosh boy-skaut me veshjen karakteristike të tyre. Edhe këtu kemi një tjetër banderolë por me të njëjtën shprehje: “AVNIU DESHMOR IDEAL I TIJ GJALLE”. Me ç’duket kjo u kthye në thirrje e përgjithshme në ato momente të tensionuara. Në këtë atmosferë të ngarkuar e të acaruar, vetëkuptohet ajo që ndodhi më pas me shpërthimin e Revolucionit të Qershorit./Java

shqip165 (1)