Pas projektit të qendrës Libohova merr një tjetër investim, 65 milionë lekë për palestrën e shkollës ‘Avni Rustemi’

Shkolla 9-vjeçare ‘Avni Rustemi’ në Libohovë do të ketë një palestër të re. Lajmin e bën me dije kryebashkiakja Luiza Mandi. Ajo thotë se ky është një tjetër investim i rëndësishëm që përfiton Bashkia Libohovë nga qeveria shqiptare. Sipas saj punimet do nisin së shpejti. Ja çfarë shkruan Mandi në faqen e saj në Facebook.

Ju kam thënë shpesh se për aq kohë sa të shërbej si kryebashkiake e Libohovës, do të flas më shumë me punë dhe jo me fjalë. Ky është modeli im. Modelin e fjalëve që i merr era dhe rrahjes së shpatullave sa për t’ju marrë votën, e flakëm tej tre vjet më parë. Nisim së shpejti një tjetër investim të rëndësishëm në Libohovë. Shkolla 9-vjeçare ‘Avni Rustemi’ do të ketë një palestër të re. Rreth 65 milionë lekë është financimi që jep qeveria për këtë projekt në kuadër të granteve për arsimin. Ashtu siç ia dolëm me rrugën e Bulos, rrugën nga Kthesa e Libohovës, rugën dhe Kishën e Labovës etj, sigurisht që do t’ja dalim edhe me këtë investim, i cili ju siguroj se s’ka për të qenë i fundit. Mezi pres të hapim edhe këtë kantier të ri ndërtimi dhe ta bëjmë gati palestrën për nxënësit e Libohovës. Një palestër sipas të gjitha standardeve, ashtu sikundër e kanë shkollat më të mira në vend. Fjala jonë është puna!