PD Gjirokastër thërret “dezertorët”: Ikni nga LSI-ja, ejani tek ne, por nuk ju presim përgjithmonë

Gjatë takimit të djeshëm me aktivin e Partisë Demokratike në Gjirokastër, kryetari Roland Bejko ka ftuar gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD-së të larguar drejt LSI-së, që të kthehen sërish në familjen e tyre politike. Por siç tha Bejko, kjo ftesë e ka një limit dhe se askush nuk do të jetë i mirëpritur pas fitores.

“Ka shumë anëtarë të PD-së që për hir të konjukturave të momentit apo mashtrimit që iu ka bërë pushteti, por edhe për nevojën ekonomike, kanë kaluar të LSI-ja për të ruajtur vendin e punës. PD është e hapur dhe i ftojmë të kthehen te familja e tyre politike. Kjo ftesë nuk vlen përgjithmonë, e ka një limit. Të vijnë për aq kohë sa nuk është çertifikuar fitorja jonë, se pastaj e dimë që do të vijnë shumë. Por të vijnë tani dhe të japin kontribut me strukturat e Partisë Demokratike aty ku kanë qenë, të marrin edhe të tjerë me vete”, tha Bejko.

Partia Demokratike në qarkun Gjirokastër synon të marrë dy mandate deputetësh në këto zgjedhje, por duke u nisur nga zgjedhjet e vitit 2013 dhe ato të vitit 2015, shanset janë të pakta. PD ka ardhur duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë në këtë qark, për shkak të dasive të brendshme, keqadministrimit të pushtetit nga ish-zyrtarët e saj në nivel lokal, por edhe nga hyrja e LSI-së në skenë.

/ArgjiroLajm.net/