PD humbet Këshillin Bashkiak Gjirokastër, Roland Bejko: Nuk dinim asgjë, PS është parti karagjoze

Kreu i PD Gjirokastër, Roland Bejko, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Këshillin Bashkiak. Përmes një deklarate ai e quan të pavlefshëm shkarkimin e Mimoza Comos, ndërsa për këshilltaret e LSI-së, Vjollca Koko dhe Monda Kllapi, i cilëson si të rekrutuara nga PS-ja. Këtë të fundit e quan ‘parti karagjozee’. Më tej Bejko shprehet se dikush duhet të përgjigjet para ligjit për këtë që ka ndodhur. Më poshtë deklarata e plotë:

Dëshiroj ti bëj me dije gjithë opinionit publik se sot, ditën e mërkurë dt. 30 Maj 2018 nëpërmjet mediave lokale jam njohur me një lajm se në një mënyrë krejt ilegale na qenëkërka mbledhur Këshilli i Bashkisë Gjirokastër, por që askush nga këshilltarët e PD nuk ka pasur dijeni. Ndërsa sipas një njoftimi publik të LSI-së Gjirokastër dy këshilltare nga grupi i tyre kanë qenë prezent në të ashtuquajturën mbledhje.

Në bazë të Ligjit për Vetqeverisjen Vendore mbledhjen e Këshillit e thërret Kryetari i Këshillit dhe në mungesë të tij Zv/kryetari. Njoftimet për mbledhjen i bën Sekretari i Këshillit jo më pak se 5 ditë nga dita e zhvillimit të mbledhjes. Sekretari mban dhe protokollin e mbledhjes. Përderisa këtë mbledhje nuk e ka thirrur as Kryetarja e Këshillit Bashkiak Gjirokastër, as Zv/ kryetarët, atëherë kush e ka thirrur?!! Në këto kushte kjo e ashtuquajtur mbledhje këshilli është e paligjshme dhe për pasojë çdo vendim i marrë në të është NUL si vetë nulat që e kanë mbledhur nën urdhërat e Partisë Socialiste.

Nga fotua që pashë në një portal lokal e ashtuquajtura mbledhje e këshillit bashkiak dhe të ashtuquajturit të mbledhur në këtë mbledhje më ngjanë me ato celulat ilegale të kasolles së Galigatit për të cilat fliste Tarasi, apo me ato mbledhjet e komunarëve të Komiteteve të Shpëtimit Publik të Revolucionit Francez ku Jakobinët mernin vendimet e kobshme për prerjen e kokës së mbëretit dhe prejet e kokëve të kundërshtarëve politikë.

Ky akt që ka bërë sot Grupi i Këshilltarëve socialistë dhe dy të rrekrutuarat e rradhës nga rradhët e LSI është thjesht një PUÇ i shëmtuar institucional. Një parti serioze operon me ligje dhe sipas ligjeve. Një parti partizane dhe karragjoze vepron në këtë mënyrë, duke rekrutuar këshilltarë me forma të ndryshme për të bërë një mazhorancë që nuk e ka nga vitat e qytetarëve, por as nga luajaliteti i aleancave politike.

Me prishjen e kualicionit me LSI, Partia Socialiste ka humbur shumicën në këshill, kështu që nxori nga arsenali skenaret e zeza të traditës komuniste që aty ku nuk hyn luajaliteti, hyn blerja, ku nuk hy blerja hyn shantazhi, ku nuk hyn shantazhi hyn dhuna. Dhe kështu mesaduket ja doli që me këto metoda ti merte 4 këshilltarë LSI dhe 1 PDIU pasi nuk i shkoi shantazhi, joshja, apo dhuna me nënkryetarin e këshillit z. Gramoz Braho.

Nëse PS pas blerjeve, shantazheve, apo joshjeve, metoda që e kanë zanafillën e tyre që në gjenezë të saj në vitin 1941, ka bërë të mundur të rifitojë shumicën në Këshillin e Bashkisë Gjirokastër, atëherë mund të priste mbledhjen e rradhës, apo një mbledhje jashtë rradhe të thirrur nga Kryetarja e Këshillit legjitime, me një rend dite, ku do njoftoheshin të gjithë këshilltarët të paktën 5 ditë para nga Sekretari po legjitim i Këshillit. Për këtë shkelje të rëndë,për këtë puç institucional dikush do përgjigjet përpara ligjit.