Përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Zagorie, njoftim për vende të lira puna

Ndërtimi i fabrikës së ujit në fshatin Sheper të Zagories pothuajse ka përfunduar.

Pritet që pas disa ditësh kjo fabrikë të fillojë nga puna. Së fundi Bashkia Libohovë ka publikuar një njoftim, për vende të lira pune pranë kësaj kompanie.

Sipas njoftimit, janë disa pozicione për të cilat kërkohet staf.

Më poshtë njoftimi i plotë i Bashkisë Libohovë.

Kompania “STS Development” sh.p.k. e cila prej një viti ka nisur investimin në Sheper të Zagories, për ndërtimin e një fabrike uji, kërkon të punësojë njerëz në disa pozicione pune si tek: Makineria e shisheve, mbushja, kontrolli optik, etiketat, paletat, elektriçist, inxhinier mekanik, kimist inxhinier, laborant, magazinier, shofer, pastrues, si dhe punëtorë në procese të ndryshme. Të interesuarit të paraqiten pranë Bashkisë Libohovë në këtë fazë të parë rekrutimesh, për të vijuar më pas procedurat me kompaninë.

Investimi prej 5.5 milionë dollarë në Sheper është një mundësi e shkëlqyer pasi krijon një perspektivë të re për gjithë zonën. Bashkia Libohovë ka mbështetur që prej fillimit këtë projekt dhe i ka lehtësuar të gjitha procedurat në mënyrë që ky investim të realizohej sa më shpejtë.