Përfundon restaurimi, shihni si duket Ura e Nivanit në Zagori

Punimet për restaurimin e Urës së Nivanit në Zagori kanë përfunduar. Ky monument kulture i kategorisë së parë është restauruar plotësisht. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro thotë se tashmë ky objekt me vlera të rralla është në shërbim të turizmit dhe banorëve vendas.

“E lumtur që brenda pak kohësh përfunduam me sukses një tjetër kantier restaurimi nga 33 që aktualisht kemi në mbarë vendin. Ura e Nivanit në Zagori sot ka një pamje tjetër dhe nuk paraqet më rrezik. Ky monument kulture i kategorisë së parë me histori e arkitekturë të veçantë është tashmë në shërbim të banorëve vendas dhe turistëve. Kantiere të tjera kemi aktualisht në qarkun Gjirokastër; Ura e Kordhocës, Kisha e Peshkëpisë, Xhamia e Pazarit, Ura e Katiut në Përmet, kalldrëmet në zonën muzeale të Gjirokastrës etj”, shkruan Kumbaro teksa publikon edhe videon me pamjen e re të urës.

Ura e Nivanit përfaqëson një strukturë komplekse me 2 harqe guri dhe një hapësirë dritë rreth 20 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm përkatësisht 28 m dhe 40 m të gjatë. Kjo urë i dha jetë në fillim të shek.XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj.