“Po financojmë godinën e re të Bashkisë Dropull”

Duke iu përgjigjur pretendimeve apo akuzave për mungesën e investimeve nga qeveria shqiptare në zonat e minoritetit, kryeministri Edi Rama është shprehur sot se falë reformës administrative të ndërmarrë nga qeveria e tij, sot kemi dy bashki të reja të minoritetit grek, Bashkinë Dropull dhe Bashkinë Finiq.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar në Sarandë për çështjet e minoritetit, kryeministri theksoi financimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e godinave të reja të Bashkisë Dropull e Finiq. “Do të isha i lumtur të shihja investime të tilla edhe në vende të rajonit”, tha Rama, duke dashur të tregojë vëmendjen e qeverisë shqiptare ndaj minoritetit.

Bashkia e Dropullit aktualisht i ka zyrat në fshatin Sofratikë, ndërsa pritet përfundimi i godinës së re në fshatin Jorgucat. Ky spostim në këtë fshat, u bë pas propozimit të deputetit Vangjel Tavo.