Portret i De Biasit dhe disa arsye pse italiani mund të largohet pas Europianit

Orët e fundit, pas suksesit të kombëtares është rikther në kujtesë një letër e hapur, që i jep përgjigje shumë prej dilemave të sotme: A duhet të kemi një kombëtare djemsh të mirë, apo një skuadër kampionësh fitues. Ajo është shkruar në fund të shkurtit 2012, përpara se Shqipëria të luante me Gjeorgjinë. Autori i saj është Gianni de Biasi.

Gati katër vite më parë ai këmbëngulte për t’i shndërruar “të kuqtë” në një grup luftëtarësh. “Ne do të hedhim bazat për tu bërë të mëdhej. Një mënyrë e të qenit që askush nga ju nuk e ka njohur më parë. Duke filluar nga sot me mua do të keni vetëm një mundësi, të dilni në fushë dhe të bëheni të mëdhej” (shiko lajme lapsi.al). Kështu i shkruante De Biasi futbollistëve të tij vetëm pak muaj pasi kishte marë detyrën. Sot këto fjalë të tij marrin një kuptim tjetër. Sepse ato ndërtuan mendësinë e re të një ekipi fitues.

Por, katër vite më parë Shqipëria ishte ndryshe. Ajo kish ndryshuar 5 trajnerë të huaj dhe pa sukses. Në fund të kompeticioneve dilema qe e njëjtë: do të lëkundeshim mes vendit të fundit dhe atij të parafundit. Dhe vështirësia qe edhe më e madhe. Skuadra që po trashëgonte De Biasi qe një skuadër e plakur. Emra të mëdhej ishin larguar ose qenë në prag të pensionit futbollistik. Tare, Bogdani, Skela dhe Lala, më parë Raklli dhe Strakosha kishin mundur të na jepnin ndonjë shkëndijë entuziazmi si në ndeshjet me Greqinë apo Rusinë, por suksesi shqiptar shuhej shpejt si një flakë kashte. Figura të tilla si Brigel, Dossena, Han, Bariç dhe Kuzhe në mënyrën e tyre kishin dështuar njëri pas tjetrit. Trashigimtari i tyre do të gjente një tokë të djegur dhe ç’ishte më keq, një horizont që dukej pa talente.

Ndoshta pikërisht për këto arsye, Gianni De Biasi iu përgjigj me një jo të prerë idesë së parë për të qenë ai që do të vazhdonte këtë stafetë të vështirë. Ja si e ka rrëfyer ai propozimin e parë për të drejtuar Shqipërinë: “Kontaktin e parë e kisha me një gazetar sportiv, i cili më pyeti nëse isha i interesuar të drejtoja një ekip kombëtar. E kisha mbyllur përvojën time me Udinezen. Fillimisht i thashë që nuk jam i interesuar. Disa ditë më vonë, gazetari më pyeti për t’u takuar. Dy ditë më vonë, në një hotel në Milano e takova për herë të parë presidentin Duka dhe drejtorin e Federatës. Më pas, ata më kontaktuan dhe më thanë se më kanë zgjedhur mua në mesin e shumë kandidatëve për të drejtuar Kombëtaren shqiptare të futbollit”.

Në dhjetor i vitit 2011, Gianni de Biasi, hodhi firmën si trajner i ekipit shqiptar të futbollit. Ai nuk kishte shkëlqyer si futbollist. Edhe si trajner trajektorja qe modeste. Një datë e rëndësishme për të është 22 marsi i vitit 2002, kur fitoi në Itali çmimin “Pankina e argjendtë”, për ngjitjen e Modenës nga Seria C1 në atë B (“për lojën e shpejtë, dinamike, agresive dhe lojë me topa të ulët”). Atë vit “Pankinën e artë” e fitoi i madhi Fabio Kapelo, i Romës. Pas këtij suksesi ky teknik i Breshës dhe Torinos do të instalohej në Seria A, ku mori drejtimin e Udinezes. Momenti kur presidenti i Udinezes nuk rinovoi kontratën me De Biazin duket se është edhe fati më i madh për Kombëtaren shqiptare të futbollit. Madje edhe një ndryshim radikal në jetën e tij. “Deri më sot nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen time, edhe pse në verën e 2013-s kam patur një ofertë nga një klub i madh evropian… Po luftonim për Botërorin e Brazilit dhe kisha marrë përsipër një detyrë që doja ta dërgoja në përfundimin e saj natyral” ka deklaruar ai para pak kohësh në një intervistë për gazeta Dita.

Në rrugën për në Brazil shorti për djemtë e De Biasit nuk qe i lehtë. Ai e vendosi kombëtaren përballë Norvegjisë, Zvicrës së shqiptarëve, Slloovenisë, Qipros dhe Islandës. Ai ndezi për një moment shpresat për kualifikim. Por humbjet e vjeshtës 2013 përballë Sllovenisë me një lojë të shkëlqyer dhe më pas me Islandën me një lojë të dobët, i vunë kapak kësaj ëndërre të parakohshme. Të kuqtë grumbulluan 11 pikë në dhjetë ndeshje dhe e mbyllën sezonin në një stadium të boshatisur në Qipro, ku pothuajse nuk i pa askush.

Krejt ndryshe do të fillonte historia një vit më pas në Portugali, ku goli i mrekullueshëm i Balajt do niste një erë të re. De Biasi kish arritur të krijonte tashmë një ekip të konsoliduar. Një skuadër me 17- 18 lojtarë të gjithë të aftë për formacion. Një ekip me forcë grupi, mentalitet fitimtari dhe të bindur se në një ditë të mirë, mund ti rrezistojnë çdo kujt.

Fitorja në Portugali, rezistenca në Beograd miqësoret në Francë dhe Itali filluan të flasin për një skuadër tjetër. De Biasi po krijonte tashmë një filing të ri me tifozerinë. Ai një herë e joshte: “Besoj se në rast se arrijmë të kualifikohemi për në finalet e Kampionatit Europian, Shqipëria do ishte kombëtarja me më shumë tifozë në Francë”, dhe një herë tjetër i premtonte të bëhej si ta duke kërkuar pasaportën shqiptare: “Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare… Kombëtaren kuqezi, ka 3 vite e pak”.

Tekniku italian po tregonte se nuk qe vetëm një profesionist i mirë, por po aq sa i tillë edhe një strateg komunikimi. Ai po hynte në zemrat e shqipëtarëve. Afishonte përpara tyre pasaportën e re vishnje, vetëquhej Gani Abazi, identifikohej si njëri prej ultrasve të Shqipërisë.

Të gjitha këto nuk kaluan pa dhënë rezultat. Italiani arriti në apogjeun e vet. Aq lart sa edhe kur i dëshpëroi shqiptarët me dy humbje në minutat e fundit, për të cilat shumëkush fajësoi zgjedhjet e tij taktike, ato iu falën shpejt. Ashtu siç ju falën edhe tekat apo kapriçot, për të “djegur” disa nga idhujt e tifozerisë, si Meha apo Kaçe, pa dhënë shumë shpjegime.

De Biazit i tolerohej gjithçka se ai arriti të krijojë besimin e një tekniku profesionist po aq sa atë të një shqiptari të mirë.

“Është një lumturi e jashtëzakonshme, një ndjesi e papërshkrueshme” deklaroi ai menjëherë sapo të kuqtë kishin arritur kualifikimin në Jerevan.

Po vërtetë, për Shqipërinë futbollistike ky është një lajm i madh. De Biasi do ti drejtojë djemtë e tij në Francë.

Po më pas? Në eliminatoret e botërorit të ardhshëm rusi 2018 Shqipëria është në një grup të pakalueshëm përkrah Spanjës dhe Italisë. Përsëritja e suksesit duket që tani një mision i pamundur. A mos vallë italiani i shqiptarizuar do ta shfrytëzojë këtë moment lavdie për të kërkuar një kontratë të re diku gjetkë. Në tregun e ashpër futbollistik, kjo është një praktikë e njohur. Nga ana komerciale Gianni de Biasi vështirë se do të ketë një moment tjetër të artë.

A do të arrijmë ta mbajmë ne të lidhur me Shqipërinë? Kjo është një sfidë më vete. Por tani për tani e dimë se na ka dhënë shumë. Na ka çuar në Francë dhe mbi të gjitha na ka lënë një testament sportiv të parakohshëm që do ta shoqërojë kombëtaren tonë edhe për shumë kohë. Me apo pa të. Gjthçka përmblidhet në letrën profetike që ai i shkroi futbollistëve në fillim të erës së tij:

“Dhe nëse në çdo moment do të jeni të gatshëm për të luftuar, për të vuajtur, për të derdhur lot për bluzën që mbani veshur, për të ndihmuar shokun tuaj, nuk do të jeni inferiorë ndaj askujt. Unë kam besim tek ju”./Lapsi.al