Prapaskenat/ Çfarë ndodhi me Tavon sot në Kuvend, deputeti i Gjirokastrës nuk kreu as betimin dhe as mori pjesë në votim

Jo vetëm 3 deputetë të PD-së. Gramoz Ruçi do të votohej edhe nga pothuajse gjysma e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Burime pranë gazetës TemA bëjnë me dije se kanë qenë plot 7 deputetë të LSI-së, të cilët do të votonin pro zgjedhjes së Ruçit si kryetar i Kuvendit. Shtatë deputetët e LSI-së që do të votonin pro Ruçit, janë: Vangjel Tavo, Luan Rama, Nora Malaj, Nasip Naço, Agron Çela, Robert Bitri dhe Gledion Rehovica.

Shtatë votat e tyre, do ta çonin në 87 numrin e deputetëve që do të votonin pro Ruçit. Fillimisht LSI çoi anëtar në Komisionin e votimit, por kur u informuan për deputetët që do të votonin pro Ruçit, ka ndërhyrë Monika Kryemadhi, thonë burime të TemA-s.

Kjo e fundit i ka nxjerrë jashtë deputetët e LSI-së, duke bojkotuar kështu votimin, për të mos rrjedhur votat e deputetëve të LSI-së, siç ndodhi me PD-në. Vangjel Tavo ndërkohë, sipas burimeve të gazetës, nuk ka shkuar as për betimin si deputet, për shkak se i vinte zor nga Gramoz Ruçi, të cilin nuk mund ta votonte dot, për shkak të vendimit politik të marrë nga ana e LSI-së.