Pronari i Alpo Televizion kandidon sërish për deputet, fsheh dënimin nga Gjykata (Dokumentet)

Aristotel Petro, pronari i Radio Televizionit Alpo dhe disa bizneseve të tjera në Gjirokastër kandidon për deputet me Partinë Demokracia Sociale të drejtuar nga Paskal Milo. Sipas listave të depozituara në KQZ, Petro është në krye të kësaj liste për qarkun Gjirokastër.

Ky kandidim nuk është tentativa e parë e tij për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2005, Aristotel Petro kandidonte me Partinë Lidhja e Blertë Shqiptare, por dështoi në zgjedhje duke mos arritur të merrte mandatin e deputetit.

Në vitin 2015, Petro garon sërish në zgjedhjet lokale për këshilltar të Këshillit Bashkiak Gjirokastër, si përfaqësues i Partisë Aleanca Popullore, një fraksion çam, i drejtuar nga Artur Dojaka. Por as kësaj here ai nuk arriti të fitonte.

Kjo është përpjekja e tij e tretë, por jo domosdoshmërisht e treta e vërteta, që ai të zgjidhet deputet i qarkut Gjirokastër. Në formularin e vetëdeklarimit për ligjin e dekriminalizimit, që Aristotel Petro ka depozituar në KQZ ai thotë se nuk është dënuar asnjëherë me vendim të formës së prerë nga ndonjë gjykatë brenda ose jashtë vendit. Por në fakt kjo nuk është e vertëtë, pasi ai është dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit Gjirokastër në muajin tetor 2014, për dhunë dhe shpifje ndaj gazetarit Telnis Skuqi.

Gjykata e ka dënuar atë me 3 milionë lekë të vjetra gjobë, para të cilat janë paguar në mars të vitit 2015 dhe që gazetari Telnis Skuqi i depozitoi në llogarinë e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë. Aristotel Petro nuk e ka përfshirë në formularin e vetëdeklarimit këtë dënim me vendim të formës së prerë. Dhe nëse ai arrin të zgjidhet deputet pas 18 qershorit, do të humbasë mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Nga ana tjetër, CEZ Shpërndarje (Sot OSHEE) e ka kallëzuar penalisht Aristotel Petron në Prokurorinë e Gjirokastrës për vjedhje të energjisë elektrike në vitin 2014. Shihni më poshtë formularin e vetëdeklarimit të Aristotel Petros, ku ka fshehur dënimin nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, CV-në e tij dhe deklaratën e CEZ që e ka paditur për vjedhje të energjisë elektrike.

/Libohova Online/