Rama sot në Gjirokastër, cilët janë drejtorët e rrezikuar nga përballja me njerëzit para kamerave

Kryeministri Edi Rama vjen sot pasdite në Gjirokastër për të zhvilluar dëgjesën publike me banorë të këtij qarku. Takimi zhvillohet në orën 17:30 në sheshin pranë gjimnazit ‘Siri Shapllo’. Sikundër kemi vënë re gjatë këtij muaji, dëgjeset publike në qytete të tjera të vendit janë shndërruar në një lloj ‘gjyqi’ publik për drejtuesit e disa institucioneve. Qytetarët i tregojnë me radhë Kryeministrit problemet kryesisht me administratën, praktikat negative që kanë ndeshur me drejtuesit etj. Rama e shfrytëzon këtë moment për të dhënë ultimatume ndaj drejtuesve. Këtë pamë në dëgjesën publike në Berat, Vlorë, Shkodër, Lezhë etj.

Po çfarë do të ndodhë sot në dëgjesën publike të Gjirokastrës? Cilët drejtorë mund të ‘demaskohen’ nga qytetarët? Me saktësi nuk mund ta themi, pasi duhet të presim takimin e pasdites. Megjithatë dihet që PS në Gjirokastër drejton pak institucione pasi shumica ishte dhënë si pjesë e tepsisë për LSI-në. Më të ekspozuar për t’u denoncuar nga qytetarët janë drejtori i ALUIZNI-t, drejtori i Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtori i OSHEE-se, drejtori i Rajonal i Arsimit, drejtori i Inspektoriatit Rajonal Shtetëror Shëndetësor, si dhe drejtori i Spitalit Rajonal apo i Hipotekës.

Ky i fundit, Meleq Karabina, sot dha dorëheqjen pas ultimatumit të Ramës një ditë më parë. Ajo që duhet të bëjnë drejtorët përpara takimit, është t’i hedhin një sy të gjithë praktikave të punës që kanë kaluar në dorë, të ‘shoshitin’ çdo rast të mundshëm problematik që kanë hasur, për të qenë të përgatitur në rast se Rama u kërkon të japin llogari para kamerave. Sidoqoftë të presim takimin e sotëm për të mësuar më shumë.

/ArgjiroLajm.net/