Rama tregon çfarë i bënte Flamur Bimja sa herë shkonte në Gjirokastër

Gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar edhe një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të Universitetit “Eqrem Çabej”.

Në fund të takimit, teksa rektori Bektash Mema e falenderoi për prezencën, Rama nuk e ka kursyer edhe një batutë për Flamur Bimen, prefektin e Gjirokastrës.

“Kur erdha Rektor, thashë shyqyr që nuk me doli tufa me lule, se më ka mësuar Flamur Bimja që sa herë vij më del një vajzë me lule. Por nuk është më kjo traditë. Megjithatë interesante janë lulet”, u shpreh Rama.

Nuk dihet nëse Rama do të zhvillojë sot ndonjë takim me ish-kryebashkiakun e Gjirokastrës, i cili është i qejfmbetur pasi nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë.

Në Gjirokastër flitet për një pakt të tij me Vangjel Tavon, për të ndihmuar LSI-në. Megjithatë kjo është ende në kuadër të zërave të pakonfirmuar. Por ditë më parë Tavo dhe Bime kanë qenë së bashku në një prej lokaleve pranë liqenit të Viroit. Edhe pse mund të ishte një kafe miqësore mes tyre, diskutimi mbi aktualitetin politik nuk ka munguar.

/ArgjiroLajm.net/