Reagon Bashkia Libohovë: S’ka abuzim me prerjet e pyjeve në Zagori, zonat janë miratuar nga Ministria e Mjedisit. Po monitorojmë situatën

Pas pretendimit të ngritur nga Shoqata ‘Zagoria’ për prerjen në mënyrë abuzive të pyjeve, ka reaguar Bashkisë Libohovë.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat në faqen në Facebook, thuhet se pretendimet janë të pavërteta.

Bashkia sqaron se përcaktimi i parcelave ku do të priten drutë për nevoja të komunitetit, është bërë konform të gjitha rregullava dhe më pas janë miratuar nga Ministria e Mjedisit.

Më poshtë deklarata e plotë e Bashkisë Libohovë.

Sot jemi njohur me një njoftim të shpërndarë në mediat lokale nga Shoqata ‘Zagoria’, e cila pretendon se po abuzohet me prerjen e druve në Zagori.

Bashkia Libohovë informon banorët e Zagorisë dhe gjithë opinionin publik, që është njohur me këtë shqetësim, se pretendimet e ngritura nga kjo shoqatë janë të pavërteta.

Në çdo rast lejet për prerjen e druve janë dhënë konform ligjit dhe procedurat e tenderimit janë kryer online siç përcaktohet në legjislacion.   

Specialistët e pyjeve në Bashkinë Libohovë kanë depozituar propozimet përkatëse në Ministrinë e Mjedisit lidhur me zonat ku mund të priten dru për nevoja të banorëve të zonës dhe institucionet shkollore.

Është Ministria e Mjedisit ajo që i ka vlerësuar këto zona dhe më pas ka dhënë aprovimin për to.

Për dijeni të Shoqatës ‘Zagoria’, inxhinieri i pyjeve pranë Bashkisë Libohovë, i cili banon aktualisht në Zagori, po monitoron nga afër çdo prerje nga kompania e autorizuar dhe nuk ka konstatuar në asnjë rast paligjshmëri apo abuzim me pyjet.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se prerjet e druve po kryhen në zonat e miratuara nga Ministria e Mjedisit dhe çdo veprim i kompanisë fituese është në përputhje me kontratën dhe ligjin.

Bashkia Libohovë inkurajon çdo denoncim ndaj personave që presin pyje pa kriter dhe mbetet e vendosur për t’i dërguar  ata para ligjit. Nga ana tjetër garantojmë banorët e Zagorisë dhe gjithë opinionin publik, se në asnjë rast nuk mund të tolerojmë shkatërrim të pyjeve. Mbrojtja e mjedisit, e florës dhe faunës, është një çështje jetike për të gjithë ne.