Refugjatët sirianë, Avokati i Popullit bën inspektime në Kakavijë e Gjirokastër

dgfdhggfhAvokati i Popullit, Igli Totozani, së bashku me një grup ekspertësh nga institucioni, inspektuan sot, situatën në terren, në rast të një fluksi të mundshëm migrator drejt Shqipërisë, në zonën kufitare të Kakavijës dhe Gjirokastër. Totozani u takua me drejtues të Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit në Kakavijë dhe Gjirokastër, si dhe me drejtues të Prefekturës.

Avokati i Popullit theksoi se “Shqipëria duhet të jetë e hapur ndaj çdo individi, që kërkon mbrojtje ndërkombëtare. Flukset migratore janë para së gjithash një çështje e të drejtave të njeriut. Përgjigja e shtetit tonë ndaj krizës së migracionit dhe çështjeve të sigurisë duhet të mos cenojnë standardet e të drejtave të njeriut. Në këtë kuptim, Shqipëria ka obligimin të zbatojë parimet dhe standardet e të drejtave të njeriut, të garantuara në konventat ndërkombëtare, të pranuara dhe të ratifikuara nga shteti shqiptar”.

Sipas Totozani, Shqipëria duhet të jetë e përgatitur, me një plan konkret dhe eficient, për të përballuar në mënyrë dinjitoze, një fluks të mundshëm të emigrantëve dhe refugjatëve, ndaj dhe mirëpresim që qeveria të na vërë në dispozicion planin konkret për këtë situatë.

“Qeveria, strukturat e posaçme të ruajtjes dhe garantimit të rendit publik, shoqëria civile, media kanë një rol mjaft të rëndësishëm në luftën ndaj paragjykimeve, stigmatizimeve, ksenofobisë, me qëllim kultivimin e vlerave më humane tek qytetarët, e sidomos nëse vihemi përballë një sfide të vështirë, asaj të demonstrimit të solidaritetit njerëzor për njerëzit që tentojnë dëshpërimisht t’i shpëtojnë luftës dhe vuajtjeve”, tha Avokati i PopullitIgli Totozani, në një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile të organizuar në Gjirokastër. Totozani shtoi se angazhimi i institucioneve shtetërore në këtë çështje duhet të jenë transparent dhe gjithëpërfshirës.

Duke e konsideruar shoqërinë civile si një aleate mjaft të rëndësishme, z. Totozani, i ftoi përfaqësuesit e këtyre organizatave, që të ofrojnë vullnetarizëm dhe solidaritet, në rast të një fluksi emigrantësh drejt vendit tonë. Avokati i Popullit kërkoi prej tyre angazhim për monitorimin e punës së qeverisë dhe institucioneve që ngarkon ligji, për të garantuar të drejtat e çdo individi. Ndërsa vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë.

Totozani vuri në dukje, domosdoshmërinë e shkëmbimit të informacionit mes shoqërisë civile dhe Avokatit të Popullit për situatën në terren, por edhe bashkëpunimin me organet lokale dhe shtabin e emergjencës. Sensibilizimi i shoqërisë, për këtë situatë, u konsiderua nga Totozani, si një element mjaft i rëndësishëm, në rast të përpalljes me një fluks të lëvizjes së njerëzve, që kërkojnë ndihmë dhe mbështetje.

Avokati i Popullit tha se zyra rajonale e institucionit, do të funksionojë me një shërbim të pandërprerë në zonat kufitare, nëse do të përballemi me një fluks migrator. Avokati i Popullit ka tashmë një plan konkret të monitorimit dhe trajtimit të kësaj çështje, mbështetur në planin e aprovuar në Shkurt të këtij viti, në Selanik, së bashku me Ombudsmanët e tjerë të rajonit, si dhe në Rezolutën e Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, (AOM).